Në këtë 11 shtator, që shënon 25-vjetorin e sulmeve terroriste që tronditën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbarë botën, ambasada e SHBA-së në Tiranë ka përkujtuar viktimat dhe ka nderuar heronjtë e asaj dite tragjike.
Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ambasada ka sjellë në vëmendje kujtimin e mijëra njerëzve që humbën jetën më 11 shtator 2001, si dhe të gjithë atyre që në mes të tragjedisë, u shndërruan në simbol të guximit dhe sakrificës.
“Ne nderojmë jetët e humbura, heronjtë që u shfaqën në New York, Pennsylvania dhe Virginia, si dhe qëndrueshmërinë e shpirtit amerikan”, thuhet në mesazhin e ambasadës.
Sulmet e 11 shtatorit 2001 mbeten një nga ngjarjet më të dhimbshme dhe më përcaktuese të historisë moderne amerikane. Katër avionë të rrëmbyer u përdorën në sulmet terroriste, duke shkaktuar mijëra viktima dhe duke lënë një gjurmë të thellë në shoqërinë amerikane dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

