Gushtin që lamë pas, Partia Demokratike ngriti një sërë akuzash lidhur me automjetin me të cilin kreu i qeverisë Edi Rama dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, vendosi që të shkonte në qytetin e Pogradecit, aty ku dhe takoi për dy ditë më radhë drejtuesit politik të qarqeve dhe ministrat e tij.
Ishte zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, ajo e cila në një deklaratë nga selia blu tha se automjeti luksoz me të cilin kreu i qeverisë shqiptare u shfaq, është një Merecedes-Benz S, që sipas saj kushtonte mbi 100 mijë euro.
E lidhur me këto akuza, ka qenë së fundmi një nga ministret e Ramës ajo e cila ka “qetësuar” të gjithë ata të cilët kanë ngritur pyetje lidhur me burimin e parave për pagesën e këtij mjeti.
Ministrja Erjona Ismaili tha se automjeti me të cilin kryeministri qarkullon është i marrë me qira dhe paguhet nga buxheti i Partisë Socialiste.
“Duke filluar nga java e ardhshme, Prania Besnike do të shtrihet edhe në nivel ministri, ku secili do të bëjë të ditur kalendarin e vet të takimeve dhe për të qenë një vlerë e shtuar e komunikimit të ministrit me qytetarët. Për sa i përket një pyetje, meqenëse isha prezente kur Ibrahimaj dha deklaratën e saj lidhur me makinën që përdor kryeministri dhe interesimin dhe shqetësimin e gazetarëve mbi buxhetin e shtetit dhe të qytetarëve, është bërë publik dhe më herët që makina që kryeministri përdor është me qira, paguhet nga buxheti i PS-së. Është një kërkesë e bërë direkt me merak të shtuar nga kryeministri, sepse për faktin se makina që përdor kryeministri përdoret edhe për aktivitetin e tij politik, pastaj sa i përket cilësimeve të makinave është për çështje sigurie”, tha ajo.

