Nga Boldnews.al
Në dhjetor të vitit 2023, kompania “Hastoçi”, në pronësi të sipërmarrësit Asllan Hastoçi, ishte pjesë e një bashkimi kompanish që fituan një ndër lotet për projektin e zgjerimit të aksit rrugor “Elbasan – Qafë Thanë”, me fond limit 2.5 miliardë lekë të reja ose rreth 30 milionë euro.
Të dhënat dokumentare të konsultuara nga “Boldnews.al” tregojnë se procedura është shoqëruar me sinjalin e “flamurit të kuq”. Në garë morën pjesë shtatë operatorë ekonomikë. Tre prej tyre, të cilët kishin ofertën më të ulët, u skualifikuan. Në përfundim, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) shpalli fitues konsorciumin, në të cilin bënte pjesë edhe “Hastoçi”.
Në manualet e prokurimeve publike, një “flamur i kuq” ngrihet edhe në rastet kur skualifikohen disa operatorë me vlerën më të ulët. Natyrisht, ngritja e një “flamuri të kuq” nuk është automatikisht një “akuzë” për tender të manipuluar.

Megjithatë, në procedurën “Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë”, Faza III, kompania e Asllan Hastoçit rezulton se është shpallur fituese, në bashkëpunim me “2T” shpk, një subjekt që tashmë është nën hetim, në dosjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) ndaj ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, personi përgjegjës për tenderat e rrugëve.
Ky tender, rreth 23 milionë euro me kursin e kohës, nuk është i vetmi që “Hastoçi” shpk ka fituar me sinjalin e “flamurit të kuq”.
“Boldnews.al” ka kryer verifikime në bazën e të dhënave “openprocurment”, në të cilën rezulton se, në vitet e fundit, “Hastoçi” është shpallur fitues në disa tendera me “flamuj të kuq”, me një fond limit në total për më shumë se 4.2 miliardë lekë të reja ose rreth 45 milionë euro.
Aksi Elbasan-Qafë Thanë
Në Tetor të vitit 2023, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpall procedurën “Zgjerimi i rrugës Elbasa – Qafë Thanë”, Faza III, me fond limit 2.499.796.130 lekë të reja. Në garë morën pjesë 7 operatorë ekonomikë. ARRSH skualifikoi kompanitë “Salillari”, “Alb Building” dhe “GPG Company & Senka”, të cilat kishin paraqitur ofertat më të ulta.

Në përfundim, tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve “Hastoçi” dhe “2T”, të cilat paraqitën ofertën 2.114.517.086 lekë të reja.
Rruga “Alvora”, Vorë
Në gusht të vitit 2025, bashkia e Vorës shpall tenderin për “Rikonstruksion i Rrugës “Alvora”, me fond limit 43.188.079 lekë të reja. Në garë marrin pjesë dy konkurentë- “Hastoçi” shpk dhe “Be-Is”. Autoriteti kontraktor skualifikon këtë të fundit, duke shpallur fitues “Hastoçin”, në përfundim të një procedurë pa garë reale.
Diga e Dropullit
Në Tetor të vitit të kaluar, “Hastoçi” shpallet fitues në një procedurë me “flamur të kuq”, të zhvilluar nga Bashkia e Dropullit, për “Rehabilitimin e digës Papel 1”. Për këtë tender ishte vendosur në dispozicion fondi limit në vlerën 77.719.265 lekë të reja. Dokumentat tregojnë se në garë morën pjesë 7 operatorë ekonomikë dhe dy prej tyre, të cilët kishin paraqitur ofertën më të ulët, u skualifikuan paraprakisht.
Përroi i Laçit
Tre operatorë ekonomikë marrin pjesë në një tender të zhvilluar nga Bashkia e Kurbinit në nëntor 2024, për “Sistemimin e përroit të Laçit”. Fondi limit i vendosur nga njësia vendore ishte 83.332.542 lekë të reja. Në dhjetor 2024, Bashkia e qytetit vendosi skualifikimin e dy operatorëve, duke shpallur fitues kompaninë që mbeti e vetme në garë, “Hastoçi” shpk të Asllan Hastoçit.
Ujësjellësi i Dajçit
Nga tre kompani që morën pjesë në tenderin “Rikostruksioni i rrjetit të ujësjellësit Dajç” në Bashkinë e Lezhës, dy prej tyre u skualifikuan, duke humbur mundësinë për të fituar procedurën me fond limit 107.094.913 lekë të reja. Në garën që u mbyll në nëntor të vitit 2024, fitues u shpall kompania “Hastoçi”, e cila mbeti sërish e vetme në procedurë.

Rindërtimi në Tiranë
Në dhjetor të vitit 2020, kompania e Asllan Hastoçit u shpall fituese në një “mini-konkurs” të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të procesit të Rindërtimit.
Procedurat e Rindërtimit u etiketuan si “mini-konkurse”, ndërkohë që vlera e tyre financiare ishte shumë e lartë. “Hastoçi” shpk u shpall fituese e njërës prej këtyre procedurave për ndërtimin e godinave të reja, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019. Fondi limit për tenderin pa garë të fituar nga shoqëria e Asllan Hastoçit ishte 446.312.961 lekë të reja.
Gjanica e Fierit
Në vitin 2018, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, vendosi të shpenzojë 708.127.500 lekë të reja për rehabilitimin e lumit Gjanica, që kalon mes përmes qytetit. Fondi limit ishte një magnet për shumë kompani që operojnë në fushën e ndërtimit. Plot, 9 të tilla u përfshinë në garë.
Në përfundim, Bashkia e Fierit skualifikoi 8 prej tyre. Në garë mbeti vetëm bashkimi i operatorëve “Hastoçi” shpk dhe “Alb-Star”, të cilat u paraqitën me ofertën 676.303.207 lekë të reja.
Projekti zhvillimor i Roskovecit
Po në vitin 2018, Bashkia e Roskovecit shpall një tender me fond limit 246.876.559 lekë të reja për “Projektin zhvillimor i Bllokut nr.2”. Në garë rezultojnë se kanë marrë pjesë 10 kompani të ndryshme, nga të cilat plot 9 u skualifikuan. Në përfundim, kontrata u lidh me “Hastoçin”, duke shënuar një tjetër procedurë me “flamur të kuq” në favor të subjektit në pronësi të Asllan Hastoçit.












