Një 19-vjeçar i shpallur në kërkim për plagosjen e tre personave është arrestuar në fshatin Pjezë të Shijakut.
I riu, me inicialet L. C., banues në Shijak, u lokalizua dhe u kap gjatë një operacioni të zhvilluar nga Policia e Durrësit në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Njësinë Operacionale. Operacioni u kodua “Village”.
L. C. dyshohet se është përfshirë në një konflikt të ndodhur më 26 korrik në lagjen nr. 13 në Durrës, ku tre persona mbetën të plagosur rëndë me mjete prerëse.
Sipas policisë, 19-vjeçari ka vepruar në bashkëpunim me M. H., i cili vijon të jetë në kërkim. Të dy dyshohet se kanë goditur tre shtetasit gjatë konfliktit, i cili, sipas hetimeve, ka nisur për motive të dobëta.
Për L. C. dhe M. H. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës kishte caktuar më 4 gusht masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Pas arrestimit të 19-vjeçarit, policia vijon kërkimet për lokalizimin dhe kapjen e personit tjetër të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.












