Ministri në largim, Besfort Lamallari ka reaguar pas vendimit të marrë këtë të premte nga kreu i qeverisë, Edi Rama, që postin e ministrit të Brendshëm t’ia pasojë Ervin Demos.
“Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh vendit tënd”, kështu e ka nisur Lamallari këtë reagim të tijin duke i shprehur një mirënjohje të veçantë kryeministrit Edi Rama, të cilit tanimë do të ketë kënaqësinë, ashtu si dhe ai thotë, t’ia kthejë nderin dhe besimin që pati te ai përmes punës pranë ekipit në Kryeministri.
Për Lamallarin, eksperienca e tij si ministër i Drejtësisë në fillim dhe më pas i Brendshëm ka qenë një eksperiencë duke e fragmentizuar si “libri i jetës”, i cili do ta ndihmojë edhe në detyrat pasuese.
Një urim e ka pasur edhe për pasuesin e tij, ministrin Ervin Demo për të cilin është i bindur që do të çojë përpara prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Reagimi i plotë i Lamallarit:
Nuk ka nder më të madh se t’i shërbesh vendit tënd, duke u përpjekur çdo ditë të japësh më të mirën tënde në përgjegjësitë që të besohen.
Drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe në veçanti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, institucioni ku u rrita profesionalisht, politikisht dhe mbi të gjitha si njeri është më shumë se sa një privilegj. Është ‘libri i jetës’ i cili të udhëzon drejt më tej në çdo stacion vijues.
Për këtë mundësi të jashtëzakonshme, mirënjohje gjithmonë Kryeministrit Edi Rama, të cilit tashmë do të kem kënaqësinë e veçantë t’ia kthej nderin e lartë dhe besimin tek unë edhe përmes anagazhimit të ri si pjesë e ekipit të Tij.
Ka qenë një rrugëtim i paharrueshëm me ekipin më të mirë në krah dhe i bekuar nga mbështetja deri në sakrificë e familjes time
Urime dhe mbarësi kolegut Ervin Demo. Jam i bindur që do të çojë përpara me sukses prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme.

