Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

Prokuroria e Hagës do në BURG Thaçin dhe 4 të tjerët, avokatët kundërshtojnë PROVAT: ‘Thuaji atij’ nuk thotë asgjë! (DEKLARATA e ish-presidentit)

Shkruar nga Newsbomb
Prokuroria e Hagës do në BURG Thaçin dhe 4 të tjerët,
Hashim Thaçi

Ashtu siç ishte njoftuar dhe më parë, ka vijuar sot seanca e radhës gjyqësore për çështjen “pengim drejtësie” për të cilën akuzohet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me 4 miqtë e tij.

Një ditë pasi Prokuroria e Hagës kërkoi që të burgosej me 6 vite burg Hashim Thaçi dhe nga tri vite burg për Bashkim Smakajn, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu si dhe 9 muaj burgim për Hajredin Kuçin, të cilët referuar provave të mbledhura në sajë të hetimeve për pengim drejtësie, prokurorët e Hagës kërkojnë t’i dënojnë. 

Ndërkohë në seancën e sotme gjyqësore raportohet se mbrojtja e Bashkim Smakajt kundërshtoi interpretimin që Zyra e Prokurorit të Specializuar u ka bërë bisedave të zhvilluara gjatë vizitave te Thaçi në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Siç kemi raportuar ditën e djeshme, Prokuroria e Hagës paraqiti dokumente dhe incizime përmes së cilave Thaçi sipas tyre kërkonte që të ndërhynte në dëshmitë e dëshmitarëve, për të cilat udhëzonte me shkurtime mikun e tij Bashkim Smakaj. Mbrojtja  e këtij të fundit ka argumentuar se të shprehurit “thuaji atij” “tregoi për këtu” e të tilla, jo medoemos dëshmojnë se po tentohet pengimi i hetimeve për çështjet në ngarkesë të Hashim Thaçit.

“Nuk ka lidhje fare ndërmjet këtyre fjalëve dhe komprometimit të hetimit efektiv të Prokurorisë apo sigurisë së dëshmitarëve”, deklaroi avokati Jonathan Elystan Rees.

Gjatë fjalës së tij të mbajtur në seancën e sotme, Rees shtoi se fjalimet mund të jenë të shkurtra, të thjeshta dhe të qarta dhe sipas mbrojtjes, nuk mund të interpretohen automatikisht si përpjekje për të ndikuar te dëshmitarët.

“Janë udhëzime që përdoren në mënyrë të zakonshme dhe janë fjalë që nuk kanë lidhje me pretendimin e Prokurorisë se përbëjnë cenim të dëshmitarëve ose të administrimit të drejtësisë”, shtoi më tej mbrojtja e Smakajt.

Një pjesë e argumentimit të mbrojtjes lidhej me ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Bislim Zyrapi, për të cilin ditën e djeshme, Prokuroria pretendoi se ky i fundit ishte objekt i përpjekjeve për ndikim. Rees theksoi se Zyrapi u kishte deklaruar hetuesve të Prokurorisë se nuk e kishte diskutuar dëshminë e tij me Smakajn.

Avokati argumentoi gjithashtu se nuk ekzistonte ndonjë ndalesë ligjore që Smakaj dhe Zyrapi të takoheshin, duke theksuar se ata njiheshin dhe kishin miqësi prej kohësh. Sipas avokatit, këto rrethana nuk e mbështesin pretendimin se Smakaj ishte përfshirë në ndonjë përpjekje për të ndikuar në dëshminë e Zyrapit apo për të ndërhyrë në procesin gjyqësor.

Në këto rrethana, avokati Rees ka kundërshtuar dënimin e të akuzuarve duke theksuar se provat e deritanishme jo medoemos nxjerrin në pah tentativat për pengim drejtësie.

Mirëpo nga ana tjetër, avokatja Sophie Menegon ka theksuar për këtë të fundit që Rees të mbështetet në prova dhe jo në ato pjesë që ai i cilëson si spekulime të ngritura nga Prokuroria. Sipas asaj, gjatë procesit nuk janë dëshmuar ndërhyrje konkrete në administrimin e drejtësisë dhe ZPS-ja nuk ka arritur ta provojë fajësinë e Thaçit përtej dyshimit të arsyeshëm.

Menegon, po ashtu ka ngritur pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si Prokuroria i ka trajtuar format e përgjegjësisë penale dhe kundërshtoi metodologjinë e ekspertit të ZPS-së, Koen Herlaar.

Sipas aktakuzës dhe argumenteve përfundimtare të ZPS-së, gjatë nëntë vizitave në Qendrën e Paraburgimit, të zhvilluara brenda një periudhe katërmujore, janë regjistruar rreth 28 orë biseda.

Vetëm pak orë pasi Prokuroria e Hagës kërkoi 6 vite burgim me burg për të, Hashim Thaçi në një lidhje telefonike për “Top Story”, theksoi se pavarësisht akuzave apo pretendimeve e vërteta është shtypja historik dhe masakrat serbe ndaj shqiptarëve, çka shkaktuan dhe masivizimin e UÇK-së si reagim vetëmbrojtës popullor, për të cilën me krenari e thotë se Kosova mbrojti veten.

“E vërteta është se shtypja historike dhe masakrat serbe ndaj shqiptarëve e masivizuan UÇK-në si reagim vetëmbrojtës popullor. Kujtojmë masakrat e shkurtit dhe marsit të vitit 1998 në Drenicë. Këtë fakt e konfirmojnë dhe i dhanë jehonë edhe diplomatët botërorë. Serbia e nisi luftën. Kosova u mbrojt nga shfarosja. Të njëjtën gjë disa vite më parë e kishin bërë kroatët, boshnjakët dhe sllovenët përballë Serbisë. Siç po bëjnë sot edhe ukrainasit përballë agresorit rus.

U ktheva në Kosovë nga Perëndimi, atëherë kur jo pak njerëz mendonin se Kosova po jepte shpirt. U ktheva për t’iu bashkuar rezistencës shqiptare. Tani po akuzohem sikur kthimi im paska ndikuar për të ndezur hovin dhe masivizuar rezistencën. Çdoherë dhe gjithë aktiviteti im ka qenë transparent, për popullin e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë”, tha Thaçi.

I pyetur në lidhje me kërkesën e Kurtit në 2015, që të mos votonte krijimin e Gjykatës Speciale e cila mund ta lërë prapa hekurave se formimi i këtij institucioni u bë për të të mirën e vendit. Ndërsa sot ai po paguan çmim në lëkurën e tij.

"Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik.

Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri të formimi i kësaj gjykate dhe ecuria e më pastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas. Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi", shtoi më tej Thaçi.

Siç kemi raportuar dhe më parëm, Gjykatësi i Vetëm mësohet se  vendosur që deklaratat përmbyllëse në çështjen “Prokurorja e Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit” të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator 2026,  gjatë orës 09:30. Pas seancës së sotme, pritet që ditën e hënë të mbahet seanca e radhës për deklarata përfundimtare.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese