Një tjetër padi është depozituar ndaj Ministrisë së Financave dhe Thesarit për bllokimin e pagave të magjistratëve. Këtë herë, paditëse është Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila i është drejtuar Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.
Padia është depozituar më 11 shtator nga Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Apelit, Dhimitër Lara. Në proces janë përfshirë Ministria e Financave dhe Dega e Thesarit Tiranë, ndërsa Avokatura e Shtetit është palë në proces dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor është thirrur si person i tretë.
Në qendër të padisë është bllokimi i pagave për muajin gusht. Ministria e Financave ka pezulluar urdhër-shpenzimet e dërguara nga gjykata për ekzekutimin e pagave, duke mos lejuar kalimin e tyre në bankat tregtare.
Për këtë arsye, gjykata kërkon që të shfuqizohet shkresa e Ministrisë së Financave, e datës 2 shtator 2026, përmes së cilës u pezulluan pagesat.
Kërkesa kryesore është që pagat e muajit gusht të ekzekutohen sipas nivelit të ri të përcaktuar për magjistratët dhe të mos kthehen në parametrat e pagave të muajit korrik.
Në argumentet e saj, pala paditëse i referohet vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit pasues të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilët përcaktuan pagën e re bazë referuese për këtë kategori. Sipas këtyre përcaktimeve, paga e pozicionit është 222,425 lekë, ndërsa për kualifikimin parashikohet edhe një shtesë prej 14,000 lekësh.
Në thelb, pretendimi është se Ministria e Financave nuk mund të bllokojë zbatimin e pagave të miratuara nga organet përkatëse të sistemit gjyqësor, përmes kontrollit të urdhër-pagesave në Thesar.
Bllokimi, sipas padisë, nuk ka prekur vetëm gjyqtarët, por edhe punonjësit e administratës së gjykatës. Për këta të fundit, sipas pretendimit të ngritur, nuk ka pasur asnjë problem ligjor lidhur me pagat e tyre.
Një tjetër pikë e ngritur në padi është mënyra e ndryshme e trajtimit të pagave. Sipas paditësit, ndërsa taksat dhe sigurimet shoqërore janë llogaritur dhe mbajtur mbi bazën e pagave të reja, vetë pagat e punonjësve janë bllokuar në Thesar.
Përveç padisë, është kërkuar edhe një masë e përkohshme nga Gjykata Administrative, me qëllim pezullimin e menjëhershëm të vendimit të Ministrisë së Financave dhe zhbllokimin e pagesave.
Ndërkohë, Gjykata Administrative ka dhënë sot urdhrin për pagesën e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme.
Çështja shënon një tjetër përplasje institucionale për zbatimin e pagave të reja të magjistratëve dhe mënyrën se si ato duhet të ekzekutohen përmes sistemit të Thesarit.













