Protestat e banorëve të Marinzës dhe Belinës në dyert e zyrave të “Bankers”-it kanë rezultuar efektive pasi mësohet se kompania kineze është dakordësuar që t’i paguajë ata për shfrytëzimin e tokave të tyre. Burime për mediat kanë bërë me dije se “Bankers” është dakordësuar që të paguajë për tokat e banorëve deri në vitin 2029.
Siç kemi raportuar dhe mesditën e sotme, banorët e Belinës dhe Marinzës, në ditën e 10-të të protestës së tyre në dyert e “Bankers”, kërkuan me këmbëngulje zbatimin e kontratave të qirasë së tokave nga kompania kineze deri në vitin 2029. Brenda pak orësh lajmi i mirë u mësua për banorët e zonës, pasi kompania në fjalë nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse t’i paguante për shfrytëzimin e tokave të tyre.
Edhe pse u dakordësuan që pagesa të kryheshin deri në vitin 2029, banorët tregojnë se kompania kineze ka kërkuar që të bëhet një ulje e kostos vitin e ardhshëm. Megjithatë mes palëve nuk ka pasur akoma dakordësim dhe nuk dihet se si do të vijojnë procedurat mes palëve për në vitin 2027.
Ndërsa për këtë vit, bëhet me dije se pagesat do të shlyhen duke nisur që nga dita e hënë, ku secili prej banorëve do të marrë lekët e veta për shfrytëzimin e tokës së tij.
“Sa e mbaruam takimin me CEO dhe ata tentuan që të na ulnin çmimin por ne nuk pranuam. U la që firmosja e kontratave të fillonte me 4 milionë siç ka qenë. Vitin tjetër pastaj do të shikojë, se ai ofroi një ulje. Nga e hëna e tutje do të fillojë shlyerja. Nuk do të vonohen, do bëhen me rradhë” u shpreh njëri prej banorëve që ishte i pranishëm në takimin me CEO-n e kompanisë.
Video Credits: Fieriweb

