Gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi ka ironizuar ndryshimet e fundit në qeveri, konkretisht largimin e Besfort Lamallarit nga ministri i Brendshëm.
Me anë të një postimi në Facebook, ai ka ngritur pikëpyetje mbi rezultatet e deklaruara ndër vite për rendin dhe sigurinë në Shqipëri.
Dervishi shprehet se cdo ministër i Brendshëm që largohet thotë se “rendi dhe siguria janë përmirësuar, kriminaliteti ka rënë”.
“Zona më e pasiguritë në Shqipëri!
Nëse në 34 vjet kemi ndërruar 25 ministra të Brendshëm, i bie afërsisht një ministër çdo 16 muaj.
Ndërkohë, pothuajse çdo ministër largohet duke na lënë pas të njëjtin njoftim: rendi dhe siguria janë përmirësuar, kriminaliteti ka rënë, policia është më profesionale dhe standardet janë ndër më të lartat në rajon, madje edhe në Europë.
Nëse rezultatet janë kaq të mira, pse ndërrohen kaq shpesh ministrat?
I bie që siguria është përmirësuar kudo me përjashtim të një zone që kufizohet nga katër këmbët e karrikes së ministrit të Brendshëm.”- shkruan Dervishi.













