Edi Rama deklaron se qeveria po përgatit krijimin e një kompanie shtetërore që do të merret me administrimin dhe furnizimin me ilaçe e pajisje mjekësore, duke pranuar se një prej problemeve kryesore në sistemin shëndetësor është keqmenaxhimi i spitaleve.
Duke folur në podkastin “FlasimShqip”, Rama tha se problemi me ilaçet nuk lidhet me mungesën e fondeve, por me mënyrën se si menaxhohen paratë, porositë dhe furnizimi.
“Ne kemi një problem shumë të madh me menaxhimin e spitaleve. Kjo e ilaçeve është edhe më shqetësuese dhe më e neveritshme se kaq. Nuk është problemi se mungojnë ilaçet, problemi është se lekët jepen, nuk është puna se nuk ka lekë dhe nuk ka ilaçe. Lekët jepen, puna është se porositë bëhen, por menaxhimi është shumë i keq”, tha Rama.
Ai bëri me dije se për këtë arsye qeveria po punon për krijimin e një shoqërie aksionare shtetërore, atë që Arben Ahmetaj e cilësoi pak ditë më parë si një koncept të njëjtë me KAYO-n”, e cila, sipas Ramës, do të merret me partneritetet dhe furnizimin me pajisje mjekësore.
“Për ilaçet, pajisjet spitalore, ne do të krijojmë një kompani shtetërore, një shoqëri aksionare shtetërore, e cila do të bëjë partneritetet dhe për të pasur një skemë tjetër të administrimit dhe të furnizimit me pajisje mjekësore. Brenda një periudhe, brenda këtij mandati, do ta zgjidhim këtë problem”, tha kreu i qeverisë.












