Barcelona po përballet me një situatë gjithnjë e më shqetësuese financiare, me borxhin total që pritet të kalojë 2 miliardë euro.
Sipas një raportimi të “The Athletic”, borxhi financiar i klubit katalanas arriti në 1.840 miliardë euro deri në fund të qershorit 2026.
Kjo shifër vjen pavarësisht faktit se Barcelona regjistroi për herë të parë më shumë se 1 miliard euro të ardhura gjatë një sezoni.
Megjithatë, klubi e mbylli sezonin 2025-2026 me humbje prej 17.8 milionë eurosh pas tatimeve.
Pjesa më e madhe e borxhit lidhet me projektin e rinovimit të “Spotify Camp Nou”, pjesë e projektit madhor Espai Barça.
Drejtuesit e klubit kanë pranuar se do të nevojiten edhe 300 milionë euro huamarrje për përfundimin e stadiumit.
Kjo e çon koston totale të projektit në rreth 1.8 miliardë euro, shumë më tepër se parashikimi fillestar.
Problemet financiare janë thelluar edhe pas mbylljes së vitit financiar, pasi Barcelona ka emetuar 105 milionë euro të tjera borxh përmes obligacioneve.
Në këtë mënyrë, klubi katalanas i afrohet gjithnjë e më shumë kufirit të 2 miliardë eurove borxh.
Situata rëndohet edhe nga kostot e interesit, të cilat gjatë sezonit të kaluar kaluan shifrën e 90 milionë eurove.
Alarmi më i madh lidhet me detyrimet afatshkurtra, pasi Barcelona duhet të paguajë 905 milionë euro gjatë sezonit 2026-2027.
Në të njëjtën kohë, asetet afatshkurtra të klubit janë vetëm 529 milionë euro.
Kjo krijon një kapital qarkullues negativ prej 376 milionë eurosh dhe shton presionin mbi drejtuesit.
Pavarësisht rritjes së të ardhurave, Barcelona tashmë duhet të fokusohet te rifinancimi i borxhit dhe gjetja e zgjidhjeve për detyrimet e mëdha financiare.












