Një aksident rrugor është regjistruar në orët e para të mëngjesit në zonën e Porto Palermos, në Himarë.
Ngjarja është raportuar rreth orës 05:00, kur shërbimet janë njoftuar për një automjet që ishte përmbysur në rrugë.
Pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet kanë konstatuar tre persona të aksidentuar. Të tre të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit, ku po marrin ndihmën mjekësore.
Ende nuk dihen rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, ndërsa nuk ka informacion të detajuar për gjendjen shëndetësore të të plagosurve.
Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.












