Është dënuar me 12 vite burgim Enedjos Guri, 15-vjeçari që 1 vit më parë vrau me thikë në fshatin Pirg të Maliqit, bashkëmoshatarin e tij, Erald Xhejo.
Vendimi për dënimin e të miturit është marrë më 9 shtator 2026, nga një trupë gjykuese në Gjykatën e Korçës, e cila, pasi vlerësoi provat e paraqitura në dosjen penale, vendosi të dënojë autorin e krimit 12 vite burgim, për akuzën e “Vrasjes me dashje”.
Ky dënim ndaj 15-vjeçarit Guri, është dhënë për shkak të moshës së mitur të tij.
Guri, gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit të kësaj dosjeje, nuk ka shfaqur pendesë para gjykatës së Korçës për krimin e rëndë.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 gusht 2025 në fshatin Pirg të Maliqit. Sipas raportimeve, dy të miturit kishin pasur konflikte edhe më herët.
Atë ditë ata u takuan pranë një lokali dhe mes tyre nisi fillimisht një debat verbal, i cili më pas u përshkallëzua në përleshje fizike.
Gjatë konfliktit, Enedio Guri përdori një thikë dhe goditi Erald Xhejon në kraharor.
Goditja rezultoi fatale, pasi thika i shkaktoi dëmtime në zemër. Eraldi u dërgua në spital, por nuk mundi të mbijetonte.













