“Marshi për liri” në Prishtinë, qeveria e Kosovës: Paraqitje dinjitoze

12 Shtator 2026 | 15:49

Qeveria e Republikës së Kosovës ka reaguar këtë të shtunë duke falënderon organizatorët e “Marshit për liri” në Prishtinë. Qeveria gjithashtu shprehu mirënjohje edhe për mijëra qytetarë pjesëmarrës, për sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e qarta të shprehura gjatë këtij organizimi.

Qeveria vlerësoi në veçanti bashkëpunimin e treguar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me organet e rendit dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës, i cili kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit.

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu gjithashtu ka reaguar lidhur me marshimin duke falenderuar organizatorët dhe qytetarët. Ajo theksoi se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim.

“Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë.

Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, tha Haxhiu.

Marshi, i organizuar nga lëvizja qytetare “Liria ka Emër”, zhvillohet në një periudhë kur procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së ka hyrë në fazën përfundimtare. Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë caktuar 16 shtatorin si datën e shpalljes së aktgjykimit, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.

Katër të akuzuarit përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata i kanë mohuar të gjitha akuzat. Protesta e sotme nuk është e para që organizohet në Kosovë kundër Gjykatës Speciale apo në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Në prill të vitit 2023, një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, mijëra qytetarë marshuan në Prishtinë në mbështetje të tyre. Protestuesit e cilësuan procesin si të padrejtë dhe shprehën përkrahje për luftën e UÇK-së.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

‘Marshi për Liri’ në Prishtinë, mijëra njerëz mblidhen në mbështetje të krerëve të UÇK

Në Prishtinë ka nisur “Marshi për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, vetëm katër ditë para...
14:00 | 12/09/2026

Vuçiç: Kam dëgjuar se Thaçi do të marrë dënim të rëndë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se pas vizitës që pati në Paris para pak ditësh ka dëgjuar se ish-presidenti i Kosovës dhe ish-udhëheqësi...
13:35 | 12/09/2026

BE kërkon respektimin e verdiktit të Speciales për ish-krerët e UÇK-së: Vendimi mund të apelohet

Bashkimi Europian ka reaguar përpara shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Dhomat e...
13:27 | 12/09/2026