20 shkolla të Tiranës me kamera inteligjente

12 Shtator 2026, 17:00Sociale TEMA
20 shkolla të Tiranës me kamera inteligjente

Ky vit i ri shkollor do t’i gjejë nxënësit e 20 shkollave në Tiranë të monitoruar me kamera inteligjente, në kuadër të projektit “SmartCity”. Një prej tyre është gjimnazi “Petro Nini Luarasi”. 30 kamera janë instaluar në ambientet e përbashkëta të godinës së shkollës.


“Janë instaluar në ambientin e korridorit të shkollës dhe në mjediset e jashtme. Nuk ka asnjë kamerë të instaluar në klasa. Ku fëmijët mblidhen në mjedise të përbashkëta, siç janë korridoret, shkallët, ambientet rrethuese, gjithashtu monitorohen”, pohoi Elsa Sheqi, drejtore e gjimnazit “Petro Nini Luarasi”.


Akses mbi pamjet kanë vetëm drejtuesi i shkollës dhe oficeri i sigurisë. Ndryshe nga kamerat e zakonshme që regjistrojnë vetëm pamje, ato inteligjente analizojnë dhe sinjalizojnë situata që konsiderohen të rrezikshme në kohë reale.


“Kamerat inteligjente ndihmojnë në interpretimin e pamjeve sa më të sakta në atë që ndodh në të vërtetë. Pastaj, në momentin që ne mendojmë që një situatë është problematike, së bashku me oficerin ulemi e shikojmë dhe ne pastaj vetë e orientojmë sistemin nëse kjo pamje që ai ka kapur është kritike apo jo. Në fund është elementi njerëzor ai që vendos dhe ushqen për këto situata dhe për të dhënë më pas paralajmërime sa më të sakta”, u shpreh Sheqi.


Projekti “SmartCity” ka sjellë skepticizëm te një pjesë e komunitetit të prindërve në lidhje me survejimin, për shkak të inteligjencës artificiale. Por për stafin pedagogjik këto kamera sjellin zgjidhje më të shpejtë të situatave të caktuara problematike.


“Përdorimi i duhanit nga fëmijët, ndoshta konflikte midis fëmijëve. Do të thoja me plot bindje se lehtësojmë pjesën e menaxhimit të konflikteve të mundshme që mund të lindin në shkollë, sqarimin dhe zgjidhjen e tyre në kohë reale”, tha ndër të tjera drejtoresha.


Kamerat e instaluara në 20 shkolla lidhen me sistemin qendror të monitorimit që menaxhohet nga Policia e Shtetit.

Lini një Përgjigje