Arsyeja pse rruga sot ka shumë rëndësi për të gjithë

Arsyeja pse rruga sot ka shumë rëndësi për të gjithë

13:18, 12/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Ndriçim Kulla

Një qeverisje mund të ndërtojë rrugë, kulla, fasada dhe sheshe, mund të organizojë edhe spektakle apo ceremoni, gjithashtu mund të prodhojë fotografi të bukura për jashtë, por nëse njerëzit e tij nuk besojnë më se mund ta ndërtojnë jetën e tyre, atëherë problemi nuk është më estetik, as administrativ; është një krizë e vetëkuptimit të shtetit.

Prandaj protestat që zhvillohen aktualisht në Tiranë marrin dimensionin e saj të vërtetë.

Në to nuk kërkon askush një Shqipëri të përsosur, sepse Shqipëria nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë një vend i përsosur. Ato kërkojnë diçka shumë më të thjeshtë dhe shumë më themelore: një shtet ku pushteti të mos sillet sikur i ka në pronësi tokat, pronat, institucionet, një drejtësi që të mos trembet nga madhësia e pushtetit, një parlament që të mos shndërrohet në dekor të shumicës, një administratë që të mos funksionojë si zgjatim i partisë dhe një demokraci ku qytetari të mos kujtohet vetëm ditën kur i kërkohet vota.

Në këtë kuptim, kërkesa për largimin e Edi Ramës nuk duhet interpretuar si një dëshirë për të ndërruar vetëm një emër në krye të qeverisë. Problemi qëndron te modeli i pushtetit që është krijuar personalisht prej tij dhe te mënyra se si ai model e ka eliminuar fare hapësirën e kundërshtimit, kontrollit dhe përgjegjësisë. Një demokraci nuk dëmtohet vetëm kur mbyllen dyert e institucioneve, por ajo dëmtohet edhe kur institucionet mbeten hapur, por funksionojnë sikur vendimet e tyre janë marrë tek zyra e kryeministrit.

Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë edhe më shumë.

Aq më tepër kur një pushtet në dukje si ky i Palloshit që shfaqet si i fortë, por dhe fatkeqësisht si demokratik; por ajo që e bën më të rrezikshëm nuk është vetëm gënjeshtra e pamjes, por mungesa e kufijve. Pushteti që nuk pranon kufij fillon ta shohë kritikën si armiqësi, kundërshtarin si pengesë, median si instrument, institucionin si pronë dhe qytetarin si skllav. Në atë pikë demokracia nuk zhduket me një zhurmë të madhe. Ajo fillon të largohet në heshtje, pak nga pak, derisa një ditë qytetarët kuptojnë se kanë mbetur përballë një strukture që është shumë më e madhe se një qeveri dhe shumë më e vështirë për t'u çmontuar se një kabinet ministrash.

Prandaj është e gabuar të pritet që këto protesta të rrëzojë domosdoshmërisht dhe menjëherë një pushtet të konsoliduar. Historia politike nuk funksionon gjithmonë me shpejtësinë e zemërimit. Ka pushtete që, edhe kur janë të tronditura, dinë të mbijetojnë gjatë, sepse kanë ndërtuar rreth vetes mekanizma mbrojtës, interesa, varësi dhe një sistem të tërë justifikimesh. Mund të jenë të plagosura nga skandalet, nga denoncimet dhe nga revolta qytetare, por plagosja e pushtetit nuk është ende rënia e tij.

Rënia fillon atëherë kur frika kalon nga qytetari te pushteti.

Dhe kjo është ajo që një protestë e gjatë besojmë të ndryshojë.

Ajo mund t'i tregojë një shoqërie të lodhur se ekziston ende mundësia për të thënë jo. Mund t'i tregojë atij që është mësuar ta shohë pushtetin si diçka të paarritshme, se pushteti, në fund të fundit, qëndron mbi një marrëveshje të heshtur me qytetarin dhe se kur kjo marrëveshje është prishur, fasada mund të mbetet për një kohë, por themelet janë të rrënuara.

Shqipëria sot nuk ka nevojë për një tjetër spektakël politik, por për një zgjim edhe më të fortë qytetar.

Sepse dihet pas fasadave të kuruara të qeverisjes Rama ekziston një realitet tjetër, shumë më i ashpër dhe më pak fotozhenik: njerëz që largohen, familje që tkurren, spitale që përballen me pamundësi kurimi, arsim që humbet autoritetin, kulturë që trajtohet si zbukurim ceremonial, fshatra që zbrazen, qytete që humbasin energjinë e tyre dhe një ekonomi familjare që përballet me kosto gjithnjë e më të rënda. Mund të prodhosh çdo ditë një imazh të ri të Shqipërisë, por nuk mund të prodhosh një realitet të ri me propagandë.

Realiteti dhe e vërteta rikthehen qartë në fytyrën e emigrantit që ikën, në heshtjen e një familjeje që nuk ka më çfarë t'i premtojë fëmijës së saj, në boshllëkun e një klase shkolle, në një spital ku qytetari kërkon shërimin që shteti nuk arrin t'ia japë dhe në atë ndjenjën e përhapur se Shqipëria po bëhet një vend ku pasuria, mundësia dhe vendimmarrja janë gjithnjë e më larg qytetarit të zakonshëm.

Prandaj këto protesta duhet të bëhen ndërgjegje.

Forca e kësaj lëvizjeje qëndron pikërisht te fakti se ajo po mbetet qytetare, e hapur dhe mbi ndarjet e vjetra politike. Shqipëria sot nuk ka nevojë për një tjetër betejë mes flamujsh; ka nevojë për një betejë mbi parime.

Dhe parimi kryesor është i thjeshtë: pushteti nuk është pronë.

As i një njeriu, as i një partie, as i një grupi ekonomik dhe as i një rrethi që mendon se mund ta administrojë vendin sipas interesave të veta.

Pikërisht këtu duhet të bashkohen edhe më shumë njerëz të ndryshëm që të dalin në rrugë. Mund të kenë bindje të ndryshme, histori të ndryshme, kujtime të ndryshme politike dhe mënyra të ndryshme për ta imagjinuar Shqipërinë e nesërme, por këto dallime nuk duhet t'i ndajnë kur bëhet fjalë për një çështje themelore: rikthimin e shtetit te qytetari.

Kjo nuk është një çështje e së majtës apo së djathtës.

Është çështje e një shoqërie që nuk dëshiron të jetojë përgjithmonë nën hijen e pushtetit.

Dhe pikërisht për këtë arsye, kushdo që beson se Shqipëria duhet të ketë një demokraci reale, institucione që kontrollojnë pushtetin dhe një të ardhme ku të rinjtë të mos e shohin largimin si të vetmen rrugë, duhet ta shohë këtë protestë jo nga largësia e spektatorit, por si një ngjarje që e prek drejtpërdrejt fatin e vendit.

Në momente të tilla historia nuk pyet shumë se çfarë mendove në shtëpi. Ajo pyet çfarë bëre kur e kuptove se heshtja kishte filluar të bëhej pjesë e problemit.

Këta të rinj dhe këta qytetarë që janë shfaqur në rrugët e Tiranës nuk janë heronj sepse kanë dalë në një shesh. Ata bëhen të tillë nëse arrijnë ta mbajnë të pastër arsyen për të cilën kanë dalë, nëse nuk lejojnë që zemërimi të shndërrohet në urrejtje, nëse nuk lejojnë që protesta të rrëmbehet nga interesa të ngushta dhe nëse arrijnë ta kthejnë revoltën e tyre në një kërkesë të qartë për një rend demokratik më të drejtë.

Kjo është beteja e vërtetë.

Jo thjesht rrëzimi i një qeverie, por çmontimi i bindjes se çdo qeveri që vjen në pushtet ka të drejtë të bëhet zot i vendit.

Shqipëria ka kaluar shumë tranzicione, por duket se ende nuk e ka kaluar tranzicionin më të vështirë: kalimin nga kultura e pushtetit te kultura e shtetit që ka blinduar Edi Rama sot. Dhe kjo nuk bëhet me deklarata. Bëhet kur qytetari kupton se shteti është i tij dhe se qeveria është vetëm një shërbëtore e përkohshme e mandatit që ai ka dhënë.

Kjo është arsyeja pse rruga sot ka rëndësi.

Jo sepse rruga është më e fortë se institucioni, por sepse kur institucioni nuk dëgjon më, rruga bëhet zëri i shoqërisë.

Dhe kur ky zë nuk është më zëri i një partie, por zëri i njerëzve të ndryshëm që kanë arritur në të njëjtin përfundim, ai bëhet shumë më i vështirë për t'u shpërfillur.

Sot Shqipëria ndodhet përballë një prove.

Prova nuk është vetëm për qeverinë.

Është edhe për opozitën, për shoqërinë civile, për intelektualët, për mediat, për njerëzit e zakonshëm dhe sidomos për ata që deri dje mendonin se politika ishte diçka që u përkiste vetëm të tjerëve. Nëse kjo revoltë qytetare arrin të mbetet e pastër në qëllimin e saj dhe të shndërrohet në një kërkesë të gjerë për ndryshim demokratik, atëherë ajo mund të bëhet më shumë se një protestë kundër një kryeministri. Mund të bëhet fillimi i një kapitulli të ri në politikë.

Dhe ky është kuptimi më i thellë i asaj që po ndodh sot në rrugët e Tiranës: një shoqëri që për shumë kohë ka qëndruar e ndarë, e lodhur dhe e bindur se ndryshimi është tepër i shtrenjtë, po fillon të kuptojë se mosndryshimi mund të jetë shumë më i shtrenjtë.

Prandaj kjo protestë meriton mbështetje.

Meriton mbështetje jo sepse duhet të adhurojmë protestën, por sepse duhet të mbrojmë të drejtën për të protestuar kur pushteti bëhet i shurdhër ndaj qytetarit. Meriton mbështetje jo sepse çdo njeri që del në rrugë ka të njëjtin mendim politik, por sepse një demokraci e gjallë ka nevojë për njerëz që nuk pranojnë ta shohin vendin e tyre duke rrëshqitur në heshtje.

Dhe pikërisht këtu duhet të fillojë zgjimi i ri: jo me një britmë tjetër, jo me një flamur tjetër, jo me një premtim tjetër elektoral, por me një bindje të thjeshtë dhe të fortë se Shqipëria nuk është pronë e atyre që e qeverisin, se pushteti nuk është trashëgimi personale dhe se qytetari, kur bashkohet rreth një qëllimi demokratik, mund të bëhet përsëri forca që përcakton se ku fillon dhe ku mbaron pushteti.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco