Kryeministri Rama zhvilloi sot në Gjirokastër një takim informues mbi Reformën Territoriale, ku u diskutua për një organizim më funksional të qeverisjes vendore dhe përfaqësim më të drejtpërdrejtë të qyteteve në këshillat bashkiakë.
Ai theksoi nevojën për riorganizimin e njësive administrative dhe për një përqendrim më racional të funksioneve në nivel vendor.
“Qëllimi është për të pasur një qëndrim më racional të disa funksioneve që nuk i bëjmë dot bashkitë e vogla. Edhe të mëdhatë i kanë të vështira. Ndryshe nga sot çdo qytet do drejtohet nga drejtuesi i qytetit që do të jetë njëkohësisht edhe nënkryetari i bashkisë do ketë përfaqësuesit e vetë në Këshillin Bashkiak, do ndahet këshilli bashkiak me kuota, kaq Kuota nga Libohova, si do ja marrin buxhetin Libohovës që ta çojnë në Gjirokastër? Si? Aty në këshill Libohova do të ketë përfaqësuesit e vetë, e njëjta gjë në Memaliaj dhe Tepelenë, ato janë dy qytete të barabarta.”, u shpreh Rama ndër të tjera.
Teksa krahë një videoje me momentet kryesore nga takimi kreu i qeverisë ka shkruar: “Gjirokastër, diskutim pa media për bashkimet e Libohovës - Gjirokastër, Memaliaj - Tepelenë, Këlcyrë - Përmet, në funksion të fuqizimit ekonomik e social të komuniteteve dhe racionalizimit të burimeve njerëzore në rrafshin vendor, si edhe përgatitjes për punën me fondet e anëtarësimit në BE”
