Mbahet në TKOB “Requiem for the Living”, koncert në nderim të viktimave të 11 Shtatorit

13 Shtator 2026, 10:51Kulturë TEMA
Mbahet në TKOB “Requiem for the Living”, koncert në nderim

“Requiem for the Living” quhej koncerti vokal-simfonik, tingujt e të cilit u shndërruan mbrëmjen e së premtes në një homazh për viktimat e 11 Shtatorit 2001, në një mbrëmje të veçantë kushtuar kujtesës, jetës dhe paqes.

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit u ngjit Orkestra Simfonike e Forcave të Armatosura, së bashku me solistët shqiptarë Ramona Tullumani, Josif Gjipali, Kastriot Tusha, Ekland Hasa, Flaka Goran dhe Diego Zelka, nën drejtimin e dirigjentit Bujar Llapaj.

I frymëzuar nga vepra me të njëjtin titull e kompozitorit amerikan Dan Forrest, koncerti bashkoi muzikën simfonike dhe vokale në një performancë me ngarkesë të fortë emocionale dhe shpirtërore.

Pjesë e mbrëmjes ishte edhe e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Nancy VanHorn.

Duke iu drejtuar të pranishmëve, ajo tha se “në këtë përvjetor kujtojmë heronjtë e Nju-Jorkut dhe viktimat e 11 Shtatorit”, ndërsa vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë në atë ditë të vështirë.

Përmes tingujve të veprës së Forrest, artistët sollën një homazh për mijëra njerëzit që humbën jetën në tragjedinë e 11 Shtatorit, por edhe një reflektim mbi vlerën e jetës, kujtesës dhe paqes.

Një mbrëmje që tejkaloi kufijtë e muzikës dhe riktheu në vëmendje, 25 vite më vonë, një ngjarje që tronditi botën. Një homazh që dëshmon se kujtesa mbetet e gjallë dhe se paqja është një mesazh universal. A.K./TemA

Lini një Përgjigje