“Gjyqtarët, si partia e çekiçave”, Rama: Paguhen edhe më shumë se kolegët në Greqi. Vendimi i KLGJ dhe KLP absurd

Kryeministri Edi Rama ka vazhduar debatin për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në rrjetet sociale duke theksuar se askush nuk mund të kërcënojë pushtetet e pavarura siç janë ekzekutivi dhe legjislativi.
Mëngjesin e së dielës fillimisht kryeministri publikoi pagat e magjistratëve në 10 vende të Europës, duke vënë në dukje se me rritjen e re të rrogave gjyqtarët e prokurorët shqiptarë bëhen më të paguar se kolegët e tyre në Rumani, Greqi, Bullgari.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi”, tha Rama.
Pak më vonë, kryeministri Rama në një video të realizuar nga makina e tij sulmoi dy institucionet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe vendimin e tyre për të rritur pagat e magjistratëve
“Vendimi absurd marrë nga dy këshillat, që në letër janë organet qeverisëse të pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, por që në realitet janë dy shëmbëlltyrat e anës së errët të medaljes së reformës në drejtësi”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri e përshkoi situatën e krijuar si vulgare duke i krahasuar gjyqtarët e prokurorët me një parti politike.
“Po pse, çfarë jeni ju, partia e “çekiçave”, ato çekicat për çfarë i keni? Për parti? Për luftë politike dhe për të dalë e për të kërcënuar autoritetet kushtetuese dhe politike të Republikës së Shqipërisë? Për të kërcënuar ministrin e Financave? Për të kërcënuar drejtorët e Thesarit të Republikës së Shqipërisë? Pse, ça janë ata? Roje magazinash pa zot?”, tha Rama.
Ndërkaq të hënën Komisionet Parlamentare nisin diskutimet rreth ndryshimeve ligjore që garantojnë rritjen e pagës për gjyqtarët e prokuroët.
Drafti është parashikuar fillimisht të kalojë kalon në Komisionin e Ekonomisë e pasi të kalojë edhe në Komisionin e Ligjeve të enjten ligji pritet të miratohet në seancë plenare.
Konflikti mes sistemit të drejtësisë dhe qeverisë nisi pasi Parlamenti nuk respektoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila në muajin shkurt urdhëroi Kuvendin që deri ne 31 korrik të miratonte një ligj që garantonte rritjen e pagës së gjyqtarëve e prokurorëve.
Në kushtet kur Parlamenti nuk veproi, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli I Lartë i Prokurorië miratuan rritjen e pagave për magjistratët, vendim ky që nuk është pranuar nga qeveria e ministria e Financave e cila ka bllokuar pagesat për gjyqtarët e prokurorët.




