E hënë, 14 Shtator 2026 Trazira në Parajsë deri në 05:11 Në vijim ora 05:11: Hakmarrja e Trëndafilit Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Ekonomi

Kërkohet më shumë kredi për shtëpi, Banka e Shqipërisë: Interes i lartë, por rregullorja jonë i ka dhënë efektet

Ilustrim · Vizion Plus

Nëse një çift kërkon të marrë kredi nga bankat e nivelit të dytë për të blerë një shtëpi, ai do të paguajë një normë interesi afro 4%.

“Normat e interesit për kredi për blerje të pasurive të patundshme janë relativisht të mira, janë nën 4%, kaq kanë qenë edhe përgjatë 2025. Cilësia e kredisë në tërësi mbetet mjaft e mirë, raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kësaj kredie është diku te 1.4-1.5% dhe është më e vogël sesa raporti i kredisë me probleme për të gjithë portofolin e kredisë”, shprehet Klodion Shehu, drejtor i departamentit të stabilitetit financiar në Bankën e Shqipërisë.

Kryesisht, afati që bankat ofrojnë për të shlyer kredinë e re për shtëpi është 25 vite.

“Kreditori ose aplikuesi për kredi duhet të plotësojë kushtin e të ardhurave mujore të qëndrueshme. Pasi banka duhet të sigurohet që ai e plotëson në mënyrë të mjaftueshme dhe të përshtatshme këstin e kredisë. Sipas analizës që kryen banka,  jepet edhe kredia. Në pjesën më të madhe të kredisë së re, rreth 85% jepet kredi për afat shlyerjeje 25 vite dhe më pak kredi jepet për një afat më të gjatë. Në mesatare varion deri në 25 vjet. Bankat bëjnë analizën e tyre, duhet të jenë të sigurta që kredia do të kthehet. Nevojitet që të ardhurat e huamarrësit të jenë të mjaftueshme dhe sigurisht që mosha më produktive është mosha më e re. Në momentin që mosha e huamarrësit është një 55-60 vjeç, sigurisht që qëndrueshmëria e të ardhurave bie”, sqaron Shehu.

Përballë interesit në rritje të individëve për të marrë kredi për blerje pasurie, Banka e Shqipërisë thotë se rregullorja e vendosur një vit më parë për të kufizuar shumën që mund të financojë banka ka dhënë efekte shtrënguese.

“Deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, kredia për blerje banese për individët arriti rreth vlerës 260 miliardë lekë. Ka pasur rritje vjetore prej rreth 15%, është një normë rritjeje disi më e ulët, por e krahasueshme me vitin 2025. Tavani i vendosur për kredinë që mund të marrësh, edhe numri i kredive të reja dhe vlera e kredive të reja ka rënë. Ka pasur efekt rregullorja. Ne monitorojmë në mënyrë të rregullt zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme dhe jemi të gatshëm që në momentn që shohim tendenca të rritjes së rrezikut për ekspozim të sektorit bankar në këtë treg, të modifikimojmë ose të shtrëngomjmë masat që kemi aktualisht”, përfundon Shehu.

Rreth 74% e kredisë së re të dhënë në gjashtëmujorin e parë të vitit ka qenë në lekë dhe pjesa tjetër në valutë. Nëse bëjmë një krahasim, pesha e kredisë në lek në 2016 ka qenë rreth 35%, pra gjatë dekadës së fundit sasia e kredisë në monedhën vendase është dyfishuar.

Xhuljana Zhuleku
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.