VIDEO/ Simnica: Diaspora shqiptare duhet ta ngrejë zërin për Kosovën, vendin e kemi në familjen evropiane

17:41, 13/09/2026

Politikani i ri Adrian Simnica, i lindur dhe i rritur në Gjermani dhe me origjinë nga Kosova, ishte i ftuar në Edicionin e Pasdites në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, ku foli për angazhimin e tij politik dhe rolin që duhet të ketë diaspora në të ardhmen e Kosovës.

Simnica, pjesë e Junge Union/CDU dhe Schüler Union Rhein-Sieg, tha se brezi i ri i diasporës ka sot më shumë mundësi për të përfaqësuar zërin e të rinjve shqiptarë në institucionet dhe politikën evropiane.

Ai theksoi se Kosova po përballet me vështirësi në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian dhe se procesi mund të jetë ende i gjatë. Sipas tij, të rinjtë e diasporës duhet të flasin më shumë për Kosovën dhe t’i tregojnë Evropës potencialin e rinisë kosovare.

Duke folur për rolin e diasporës, politikani i ri tha se shqiptarët jashtë vendit kanë një përgjegjësi të veçantë për të kontribuar në zhvillimin e Kosovës. Ai theksoi se angazhimi nuk duhet të kufizohet vetëm në politikë, por të shtrihet edhe në biznes, ekonomi dhe institucione.

‘Për mua ka shumë rëndësi sepse ne tash jemi brez i ri që i ka gjithë ato mundësitë në diasporë që ta ngrejë zërin e të rinjve në institucione, në parlament dhe në politikë dhe besoj që duhet ta shfrytëzojmë atë.

Ne tani po e shohim që Kosova e ka shumë të vështirë rrugëtimin e saj në BE dhe besoj që është edhe një rrugë e gjatë deri aty, derisa të mbërrijmë aty dhe besoj që ne si të rinj kemi edhe nevojë që ta ngrimë zërin dhe të flasim gjithmonë për Kosovën dhe t'i tregojmë botës se ne jemi të rinj, kemi rini shumë të mirë dhe të angazhuar dhe që duam me qenë edhe pjesë e BE-së dhe familjes evropiane.

Gjithmonë i them të gjithëve që janë jashtë vendit sepse ne nga diaspora kemi edhe një identitet pak më të ndryshëm dhe besoj që gjithmonë secili edhe secila duhet ta ngrenë zërin për Kosovën dhe gjithmonë kur diskutohet për Kosovën që të angazhohen dhe besoj që këto mund të ndodhin në të gjitha sektorët, jo vetëm në politikë, por edhe në biznese, në ekonomi, në institucione, në politikë.

Besoj që gjithmonë, gjithkush e ka përgjegjësinë ndaj Kosovës.

Kam biseduar edhe me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola për këtë çështje, me të thënë të drejtën, sepse besojmë që Kosova derisa të arrijë në BE ka disa probleme që duhet t'i zgjedhë.

Ne po i shohim për momentin në Kosovë ngërçin politik dhe disa probleme të tjera, është edhe shteti që duhet të funksionojë, institucionet, korrupsioni që duhet të luftohet derisa të hyjë Kosova në BE dhe besoj që tash hala nuk jemi, akoma nuk jemi gati për atë rrugëtim. Por unë kam shpresë shumë të madhe që BE-ja t'i ndihmojë Kosovës edhe më shumë dhe që të kemi dialog edhe me Serbinë dhe që të ketë një zgjidhje për të gjitha palët.

Sepse Kosova siç e kam thënë, është vend pro-evropiane, ka një rini të angazhuar dhe besoj që ne e kemi vendin në familjen evropiane dhe shpresojmë që edhe BE-ja e sheh këtë dhe që të na ndihmojë.’, u shpreh ndër të tjera Adrian Simnica në SYRI TV.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco