Një dron rus ka goditur një tren pasagjerësh në Ukrainën perëndimore, vetëm rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë. Sulmi ka ndodhur pak minuta pasi në të njëjtën linjë hekurudhore kishte kaluar një tren me ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë.
Sipas raportimeve, nuk pati viktima. Pasagjerët ishin evakuuar në kohë, pasi ishte zbuluar kërcënimi për një sulm të mundshëm. Droni goditi lokomotivën, duke shkaktuar dëme materiale.
Boris Johnson po largohej nga Kievi, ku kishte marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Në të njëjtën linjë udhëtonin edhe zyrtarë të lartë të sigurisë nga vende evropiane, mes tyre këshilltari britanik i Sigurisë Kombëtare, Jonathan Powell, dhe një këshilltar i kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Treni me delegacionin evropian kishte kaluar në zonën e goditur vetëm pak minuta përpara sulmit.
Der Spiegel says Russia’s drone strike near the Yahodyn-Dorohusk border crossing hit close to a special train from Kyiv carrying Boris Johnson plus advisers to Merz and other European leaders. The train also had security advisers from other governments, Bundestag members, diplomats and researchers.
https://t.co/WTuJaKSFh3
— WarTranslated (@wartranslated) September 13, 2026
Moska deklaroi se objektivi ishte ‘infrastruktura hekurudhore’ në Ukrainën perëndimore. Sulmi ka rikthyer shqetësimet për intensifikimin e goditjeve ruse ndaj rrjetit hekurudhor ukrainas, i cili përdoret për transportin e pasagjerëve, ndihmave dhe pajisjeve ushtarake.
Pas sulmit, Boris Johnson reagoi ashpër ndaj goditjeve ruse, duke vënë në pikëpyetje arsyen e sulmit pranë kufirit me Poloninë.
‘Kur do t’u japim atyre mbrojtjen ajrore që u nevojitet?’, është shprehur Johnson, duke kritikuar sulmet ruse ndaj Ukrainës.
Po atë natë është raportuar edhe një tjetër sulm rus në afërsi të Jachodnia-s. Sipas rojes kufitare polake, zona e goditur ndodhej rreth 800 metra larg kufirit me Poloninë, ndërsa sulmi shkaktoi ndërprerje të përkohshme të funksionimit të pikës kufitare.
Zona ku ndodhën sulmet konsiderohet veçanërisht e ndjeshme, pasi territori polak shërben si një korridor i rëndësishëm për transportin e ndihmave humanitare, personelit dhe pajisjeve drejt Ukrainës.
Rusia ka intensifikuar gjatë muajve të fundit sulmet ndaj infrastrukturës hekurudhore ukrainase, duke goditur trena, stacione, depo dhe objekte të tjera të rëndësishme të transportit.
Në fillim të shtatorit, gjashtë punonjës të kompanisë shtetërore hekurudhore Ukrzaliznytsia u vranë pas goditjes së një strukture në Kiev. Në ditët në vijim, sulme të tjera me dronë goditën trena pasagjerësh, duke detyruar autoritetet të evakuonin pasagjerë dhe punonjës pas paralajmërimeve për sulme të reja.
Fakti që sulmi i fundit ndodhi vetëm pak kilometra nga territori polak ka shtuar shqetësimet për rrezikun e goditjeve ruse në afërsi të kufijve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
© SYRI.net