Një dron rus ka goditur një tren pasagjerësh në Ukrainën perëndimore, vetëm rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë. Sulmi ndodhi pak minuta pasi në të njëjtën linjë hekurudhore kishte kaluar një tren që transportonte ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë.
Sipas BBC-së, nga sulmi nuk pati viktima. Pasagjerët e trenit që u godit ishin evakuuar në kohë, pasi ishte identifikuar kërcënimi. Droni goditi lokomotivën e trenit, duke shkaktuar dëme materiale.
Boris Johnson po kthehej nga Kievi, ku kishte marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Në të njëjtën linjë udhëtonin edhe zyrtarë të lartë evropianë të sigurisë, mes tyre Këshilltari Britanik i Sigurisë Kombëtare, Jonathan Poëell, si dhe një këshilltar i kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Treni që transportonte delegacionin e personaliteteve të huaja kishte kaluar nëpër zonën ku ndodhi sulmi vetëm pak minuta përpara goditjes së trenit ukrainas.
Moska konfirmoi të dielën se kishte goditur atë që e cilësoi si “infrastrukturë hekurudhore” në Ukrainën perëndimore. Sulmi ka rikthyer në vëmendje rrezikun në rritje për rrjetin hekurudhor ukrainas, i cili është bërë gjithnjë e më shpesh objektiv i sulmeve ruse.
Der Spiegel says Russia’s drone strike near the Yahodyn-Dorohusk border crossing hit close to a special train from Kyiv carrying Boris Johnson plus advisers to Merz and other European leaders. The train also had security advisers from other governments, Bundestag members, diplomats and researchers. https://t.co/WTuJaKSFh3
— WarTranslated (@wartranslated) September 13, 2026
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson reagoi ashpër ndaj incidentit, duke vënë në pikëpyetje arsyen e sulmit.
“Nuk e di se çfarë logjike e shtrembëruar e shtyu Putinin të hidhte në erë një lokomotivë treni ukrainase të palëvizshme në kufirin polak këtë mëngjes”, deklaroi Johnson.
Ai shtoi më tej: “Kur do t’u japim atyre mbrojtjen ajrore që u nevojitet?”
Sulmi ndodhi në një zonë strategjike të Ukrainës, pranë kufirit me Poloninë, një vend anëtar i NATO-s. Fakti që goditja u krye vetëm pak minuta pas kalimit të trenit me zyrtarët evropianë ka shtuar shqetësimet mbi sigurinë e transportit hekurudhor dhe rrezikun që paraqesin sulmet me dronë në këtë pjesë të vendit.
