Komisioni Europian po shqyrton mundësinë e një “Akti për Ujin”, i cili do të vendoste një kuadër më të gjerë për menaxhimin e burimeve ujore dhe përballimin e thatësirave në Bashkimin Europian.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, po shqyrton propozimin e një legjislacioni të ri për ujin, pas thatësirës së rëndë që goditi Evropën gjatë kësaj vere.
Nisma e mundshme, e quajtur “Akti për Ujin”, do të kishte një fushëveprim më të gjerë se Direktiva Kornizë për Ujin, e cila aktualisht përcakton rregullat kryesore të BE-së për mbrojtjen dhe menaxhimin e ujërave.
Në praktikë, synimi do të ishte që BE-ja të mos përqendrohej vetëm te cilësia dhe mbrojtja e ujërave, por edhe te siguria e furnizimit, përdorimi më efikas i ujit dhe përgatitja për periudha të zgjatura thatësire.
Megjithatë, përmbajtja e ligjit të mundshëm ende nuk është përcaktuar dhe Komisioni nuk e ka konfirmuar zyrtarisht nismën.
Diskutimi është nxitur edhe nga pasojat e kësaj vere. Thatësira dëmtoi prodhimin bujqësor, ndërsa nivelet shumë të ulëta të ujit në Danub dhe Rin krijuan probleme për prodhimin e energjisë dhe transportin lumor.
Von der Leyen pritet të japë më shumë qartësi për drejtimin që do të ndjekë Komisioni gjatë “fjalimit për Gjendjen e Bashkimit Evropian më 16 shtator”.
Nëse propozimi ecën përpara, ai do të shënonte kalimin nga strategjia aktuale e BE-së për qëndrueshmërinë ndaj mungesës së ujit drejt rregullave të reja ligjore në nivel evropian.














