BOTA /

Serbia drejt zgjedhjeve të përgjithshme, kryeministri kërkon shpërndarjen e Kuvendit

Zgjedhjet e parakohshme janë kërkuar prej muajsh nga studentët serbë, të cilët kanë organizuar protesta dhe kanë mbajtur të bllokuara fakultetet që prej majit të vitit 2025.

Shkruar nga Versus

Serbia drejt zgjedhjeve të përgjithshme, kryeministri kërkon

Serbia është një hap më pranë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Kryeministri Gjuro Macut i ka dërguar presidentit Aleksandar Vuçiq kërkesën për shpërndarjen e Kuvendit, procedurë që i paraprin shpalljes së zgjedhjeve.

Sipas Kushtetutës serbe, presidenti ka të drejtë të shpërndajë Kuvendin me propozim të arsyetuar të Qeverisë. Në të njëjtën kohë, ai duhet të shpallë edhe zgjedhjet parlamentare, të cilat duhet të përfundojnë brenda 60 ditëve nga shpallja.

Zgjedhjet e parakohshme janë kërkuar prej muajsh nga studentët serbë, të cilët kanë organizuar protesta dhe kanë mbajtur të bllokuara fakultetet që prej majit të vitit 2025.

Protestat u përshkallëzuan pas tragjedisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Studentët kanë kërkuar përgjegjësi për ngjarjen dhe ndryshime në qeverisje.

Presidenti Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar më herët se zgjedhjet parlamentare mund të zhvilloheshin më 18 ose 25 tetor.

Ndërkohë, Vuçiq ka paralajmëruar edhe largimin nga posti i presidentit përpara përfundimit të mandatit të tij në prill 2027.

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi u mbajtën në dhjetor 2023 dhe u shoqëruan me akuza për parregullsi nga opozita, organizatat joqeveritare dhe vëzhgues ndërkombëtarë.

Në zgjedhjet lokale të marsit 2026, në 10 komuna u raportuan incidente, përleshje dhe akuza për parregullsi. Partia Progresive Serbe në pushtet, e Vuçiqit, shpalli fitoren në të gjitha këto komuna, duke i hedhur poshtë kritikat.

Me kërkesën e kryeministrit Macut për shpërndarjen e Kuvendit, Serbia tashmë pritet të hyjë zyrtarisht në procesin që mund të çojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Poll