
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, zhvilloi këtë të martë një takim me Gjeneral Major Jasper Jeffers III, Komandant i Komandës Qendrore të Operacioneve Speciale të Shteteve të Bashkuara (SOCCENT), i cili shërben gjithashtu si komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza.
Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Palët theksuan rëndësinë e angazhimit të përbashkët në NATO dhe të bashkëpunimit të ngushtë për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe kontributin në sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ministri Nufi deklaroi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të thelluar më tej marrëdhëniet me SHBA-në dhe për të kontribuar në misionet e përbashkëta ndërkombëtare.
“Shqipëria mbetet e vendosur për të thelluar më tej bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe për të dhënë kontributin e saj në misione të përbashkëta ndërkombëtare, forcimin e Aleancës dhe të sigurisë së përbashkët”, u shpreh Nufi.

