
Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ka gjobitur dhe ka pezulluar kompaninë “Polyeco Albania” pas problemeve me menaxhimin e mbetjeve.
Në njoftimin e IKMT thuhet se subjekti me administrator Ioannis Karakolis ka patur disa paralajmërime dhe se pas shkeljeve të përsëritura është vendosur pezullimi deri në eleminimin e shkeljeve dhe gjobitja e biznesit.
“Menaxhimi dhe trajtimi i mbetjeve është një nga prioritetet e punës së Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Inspektimet janë përqëndruar në të gjithë zinxhirin nga administrimi i mbetjeve, klasifikimi, dokumentimi dhe deri në transferimin e tyre. Sëfundi, pas paralajmërimit të subjektit dhe gjurmimit të mbetjeve, IKMT mori masën administrative me gjobë dhe pezullim për një subjekt pasi konstatoi shkelje në ushtrimin e aktivitetit. Pezullimi do të vazhdojë deri sa të eleminohen shkeljet e konstatuara dhe të garantohet ligjshmëria”- thuhet në njoftimin e IKMT.
Mësohet se nga problemet e evidentuara lidhet me një material të regjistruar si “karbon aktiv”. Sipas verifikimit të kryer, ky material i përkiste absorbentëve dhe materialeve me substanca të rrezikshme, ndërsa kodi i përdorur nga subjekti nuk përputhej me karakteristikat reale të mbetjes.
IKMT ka gjetur gjithashtu mospërputhje mes kodeve të mbetjeve të regjistruara dhe të transferuara nga kompania dhe kodeve të përcaktuara në kontratën e paraqitur me subjektin pritës. Kjo ka ngritur probleme edhe në dokumentacionin që shoqëronte transferimin e mbetjeve. Versus.al

