Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka reaguar lidhur me konfliktin e pretendimeve për pronësinë e një sipërfaqeje toke në zonën mes Drimadhës dhe Palasës, ku është parashikuar ndërtimi i resortit “Delta Falaise Resort & Village”.
Në një përgjigje për “Top Story”, ASHK sqaron se zona në fjalë i përket Zonës Kadastrale nr. 1739. Procesi i regjistrimit fillestar të pronave në këtë zonë, në bazë të një marrëveshjeje mes ASHK-së dhe Bashkisë Himarë, pritet të përfundojë brenda vitit 2027.
Sipas Kadastrës, shoqëria “Delta” sh.a. ka depozituar gjatë viteve 2019, 2020 dhe 2021 dokumentacion ligjor për disa tituj pronësie, të fituar përmes kontratave të shitblerjes. Origjina e këtyre titujve lidhet me vendime të ish-komisioneve të kthimit të pronave, vendime gjykatash dhe AMTP.
ASHK konfirmon gjithashtu se më 24 korrik 2024 është regjistruar në regjistrin e veçantë të lejeve të ndërtimit leja për resortin “Delta Falaise Resort & Village, Zona 1”. Sipas institucionit, kjo është e vetmja leje ndërtimi e regjistruar deri më tani në lidhje me këtë çështje.
Sa i përket subjektit tjetër të përfshirë në konfliktin e pretendimeve pronësore me “Delta” sh.a., Kadastra thotë se nuk rezulton të ketë paraqitur kërkesë apo të jetë pajisur me vërtetim pronësie për zonën në fjalë.
Por, sipas ASHK-së, në të njëjtën zonë është paraqitur një kërkesë dhe në korrik 2024 është lëshuar vërtetim pronësie në emër të një individi tjetër. Titulli i pronësisë së këtij individi, sipas Kadastrës, e ka origjinën nga një vendim i ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
Pikërisht ky titull pronësie ka ngritur dyshime për një falsifikim të mundshëm. ASHK bën me dije se, pas verifikimeve administrative, në vitin 2025 ia ka përcjellë dokumentacionin përkatës Strukturës së Posaçme Antikorrupsion për vlerësim të mëtejshëm.
“Për këtë titull pronësie, në kuadër të verifikimeve administrative të kryera dhe për çështje që kërkojnë vlerësim nga organet kompetente, ASHK ka përcjellë në vitin 2025 pranë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, dokumentacionin përkatës duke qenë se ka pasur dyshime të arsyeshme për një falsifikim të mundshëm”, thuhet në përgjigjen e ASHK-së.
Kadastra sqaron gjithashtu se, në zonat ku regjistrimi fillestar nuk ka përfunduar, vërtetimi i pronësisë ose vërtetimi hipotekor shërben si provë se subjekti ka depozituar pranë ASHK-së dokumentet ligjore që disponon për titullin e pronësisë.
Sipas institucionit, këto vërtetime janë të vlefshme për përdorim nga pronari dhe autoritetet publike deri në përfundimin e procesit të regjistrimit fillestar.
Ndërkohë, për kërkesat për kopje të dokumenteve origjinale të pronësisë apo dokumentacionit arkivor të subjekteve private, ASHK thotë se duhet të respektojë legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe atë për kadastrën. Dokumentacioni individual mbi një pasuri mund t’u vihet në dispozicion pronarëve, titullarëve të të drejtave pronësore ose personave që provojnë një interes të ligjshëm mbi pasurinë.

