
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka mbledhur këtë të martë drejtuesit e prokurorive, përfaqësues të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, për të diskutuar situatën e krijuar me pagat e magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë.
Takimi u zhvillua në Prokurorinë e Përgjithshme pas bllokimit të ekzekutimit të pagave për muajin gusht 2026.
Gjatë mbledhjes është diskutuar nevoja për zbatimin e kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve, si dhe garantimin e funksionimit normal të institucioneve të drejtësisë.
Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se situata kërkon një zgjidhje të shpejtë dhe të qartë, në përputhje me ligjin dhe standardin kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Në fokus ka qenë edhe respektimi i të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës, si dhe garantimi i vijimësisë normale të punës së institucioneve të drejtësisë.
Në përfundim të takimit është dakordësuar që çështja të ndiqet përmes instrumenteve ligjore, me synim garantimin e pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë.
Ndërkohë, sipas të dhënave të bëra publike, nëse Kuvendi nuk miraton zgjidhjen për rritjen e pagave, prokurorët pritet të ndjekin rrugën ligjore për adresimin e problematikës.

