
Në çelje të seancës së parë plenare për sesionin e ri parlamentar, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, prezantoi prioritetet e punës për sesionin e ri, duke vendosur në qendër procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Peleshi deklaroi se integrimi evropian mbetet prioriteti kryesor i punës së Kuvendit dhe se gjatë këtij sesioni puna do të përqendrohet në tre drejtime themelore: përafrimin e legjislacionit me standardet e BE-së, intensifikimin e diplomacisë parlamentare dhe përgatitjen e Shqipërisë për anëtarësimin e plotë.
“Së pari, përafrimi i legjislacionit. Kuvendi do të shqyrtojë me përparësi projektligjet që lidhen me standardet e Bashkimit Evropian dhe me përmbushjen e detyrimeve të negociatave, duke u fokusuar te rezultatet”, u shpreh Peleshi.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e kontrollit pas miratimit të ligjeve, duke argumentuar se përgjegjësia e Kuvendit nuk përfundon me votimin e një ligji, por vijon edhe gjatë zbatimit dhe vlerësimit të efekteve të tij.
Një tjetër prioritet i këtij sesioni do të jetë intensifikimi i diplomacisë parlamentare. Peleshi njoftoi se më 28 shtator Kuvendi do të organizojë në Tiranë Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda Strategjike e Zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimi i Shqipërisë”, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të parlamenteve të vendeve anëtare e kandidate, si dhe të institucioneve evropiane.
Në fokus do të jetë edhe përgatitja e vendit për anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian. Sipas Peleshit, Shqipëria duhet të nisë që tani përgatitjet për funksionimin si një vend anëtar, përfshirë plotësimet ligjore e institucionale, infrastrukturën për pjesëmarrjen në proceset vendimmarrëse evropiane dhe përgatitjen e administratës.
Krahas integrimit, Peleshi veçoi si çështje të rëndësishme të sesionit edhe Reformën Zgjedhore dhe Reformën Administrative-Territoriale. Ai tha se këto procese lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e demokracisë, përfaqësimin dhe funksionimin e institucioneve.

