
Ditën e sotme magjistratë dhe punonjës të administratës të sistemit të drejtësisë zhvilluan një mbledhje lidhur me ngërçin e pagave gjatë muajit gusht. Në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme theksohet se pjesëmarrësit në mbledhje vlerësuan se duhet që çështja të zgjidhet sa më shpejtë.
Ndërsa theksohet se çështja do të ndiqet nëpërmjet instrumenteve ligjore.
“Mbi mbledhjen lidhur me situatën e pagesave të magjistratëve dhe administratës së sistemit të drejtësisë. Sot, më datë 8 shtator 2026, në Prokurorinë e Përgjithshme u zhvillua një mbledhje e thirrur nga Prokurori i Përgjithshëm me pjesëmarrjen e drejtuesve të prokurorive, përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Shoqatës së Prokurorëve, lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të ekzekutimit të pagesave për pagat e muajit gusht 2026 të magjistratëve dhe administratës.
Gjatë mbledhjes u diskutua në mënyrë të detajuar situata e krijuar, si dhe nevoja për garantimin e zbatimit të kuadrit ligjor dhe financiar që rregullon pagat e magjistratëve dhe funksionimin normal të institucioneve të drejtësisë.
Të gjithë pjesëmarrësit vlerësuan se çështja kërkon një zgjidhje të shpejtë, të qartë dhe në përputhje me ligjin, në respektim të standardit kushtetues të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, duke garantuar vijimësinë normale të funksionimit të institucioneve dhe respektimin e të drejtave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës.
Në këtë kuadër, u dakordësua vijimi i trajtimit të kësaj çështjeje përmes instrumenteve ligjore, në funksion të garantimit të pavarësisë, funksionimit normal dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë”- thuhet në njoftim. Versus.al

