Bota

Huthët plagosën 73 persona në Arabinë Saudite, Riadi zotohet të kundërpërgjigjet!

Sulmet e rebelëve Houthi nga Jemeni ndaj Arabisë Saudite kanë plagosur të paktën 73 civilë, përfshirë gra dhe fëmijë, duke shkaktuar një përshkallëzim të ri të tensioneve mes palëve.

Sipas koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, goditjet kishin në shënjestër objekte civile dhe ekonomike në qytetet Abha, Khamis Mushait, Jazan e Najran.

Gjeneralmajori Turki Al-Maliki, zëdhënës i forcave të koalicionit, i cilësoi “të pakuptimta” dhe tha se përbëjnë “shkelje të hapur të sovranitetit të Arabisë Saudite e një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe banorëve të vendit”.

Komanda do të marrë të gjitha masat e nevojshme operacionale për të frenuar forcat Houthi dhe për t’u përballur me vendosmëri me qasjen e tyre armiqësore.

Ushtaraku i lartë saudit shtoi se koalicioni do të ndërmarrë edhe masat e nevojshme për t’iu përgjigjur burimeve të kërcënimit e për të neutralizuar rrezikun.

Sulmet shënojnë përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve mes Arabisë Saudite dhe Huthëve, grupit rebel jemenas të mbështetur nga Irani.

Arabia Saudite u përpoq të qëndronte jashtë luftës së Shteteve të Bashkuara me Iranin, por në korrik u përball me sulme me raketa nga Huthët, duke i dhënë fund një armëpushimi de facto 4-vjeçar mes grupit rebel dhe mbretërisë.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.