Aktualitet

Zjarrvënie të qëllimshme në Krujë e Vlorë, arrestohen piromanët

Dy persona janë arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme, një në Krujë dhe një në Vlorë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, menjëherë pas njoftimit për një vatër zjarri në fshatin fshatit Zallë, u mundësua arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit I. H.(K.), 67 vjeç.

Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr në sipërfaqen e tokës në pronësi të tij, për të djegur mbeturina bimore.
Zjarri ka dalë jashtë kontrolli dhe si pasojë e përhapjes së tij janë djegur sipërfaqe toke të konsiderueshme dhe pemë frutorë, në fshatin Zallë dhe në zonat përreth.

Ndërkohë në Vlorë, për një rast të zjarrvënies në vendin e quajtur “Qafa e Petës”, më datë 06.07.2026, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit A. S., 52 vjeç, banues në fshatin Mallkeq. Në përfundim të veprimeve, ky shtetas u arrestua për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Nga përhapja e zjarrit që ndezi ky shtetas, u dogjën një sipërfaqe toke me bimësi të egër dhe pemë ulliri.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit R. S., 62 vjeç dhe I. S., 35 vjeç, banues në fshatin Mallkeq (vëllai dhe kushëriri i shtetasit të arrestuar), pasi gjatë shoqërimit të shtetasit A. S., kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë që t’i pengonin në kryerjen e detyrës dhe më pas janë larguar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.