Art & Kulturë Film & Tv

“Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” “rrëmbeu” Kupën e Festivalit të Filmit në Tiranë!

Festivali i Filmit Shqiptar mbylli në Tiranë edicionin e rikthimit, pas një mungese 14 vjeçare. Në një mbrëmje gala, u ndanë çmime për regjisorë, aktorë e krijues.

Kupa e Festivalit: “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”

Kupa e Festivalit iu dha filmit “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”, i regjisorit Gentian Koçi. Në një garën ku morën pjesë dhjetëra produksione shqiptare e bashkëprodhime, realizimi mori vlerësimin kryesor të jurisë.

Çmimet e aktrimit sollën emra të njohur të skenës dhe ekranit:

-Çmimi për Aktoren më të Mirë iu dha Adriana Matoshit, për interpretimin te “Luna Park”.

-Çmimi për Aktorin më të Mirë shkoi për Blerim Destanin, për rolin në filmin “Amsterdam Express”.

-Dritan Huqi e Vjollca Dedej u vlerësuan për kontributin në realizimin dhe promovimin e produksioneve kinematografike.

-Çmimi për Regjisorin më të mirë shkoi për Gjergj Xhuvanin, një prej emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare, i ndarë nga jeta mbi 7 vjet më parë, më 14 gusht 2019.

-Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ishte Çmimi i Karrierës, akorduar ikonës së kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Tinka Kurti, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm ndër vite.

Çmimi Filmi i Parë: “Derë e hapur” – Florenc Papas

Çmimi i Muzikës më të Mirë: “Bolero në vilën e pleqve” – kompozitor Endri Sina

Çmimi për Skenarin më të Mirë: “Liqeni im” – Gjergj Xhuvani

Çmimi për Producentin më të Mirë: “Amsterdam Express” – producente Rozeta Feri

Çmimi për Fotografinë më të Mirë: “Derë e hapur” – Sevdije Kastrati

Nga data 3 e deri më 12 shtator, kryeqyteti u kthye në qendrën e kinematografisë shqiptare, me rreth 220 filma të prodhuar nga viti 2012 e të shfaqur te Universiteti i Arteve, Kinema “Agimi”, Piramida dhe “Film Zone” në sheshin “Nënë Tereza”.

Sipas organizatorëve, rreth 20 mijë shikues ndoqën filmat dhe aktivitetet e rastit.

Në këtë edicion, krijuesit u vlerësuan përmes Jurisë Zyrtare, Akademisë së Filmit dhe votës së publikut. Çdo regjisor konkurroi me një film të vetëm.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.