Art & Kulturë Celebrities Film & Tv

“Venecia 83”: “Woman Unknown” fiton Luanin e Artë/Çmim edhe për dokumentarin mbi Gazën!

“Woman Unknown” (Gruaja e panjohur), me regji të kineastes daneze May el-Toukhy, fitoi Luanin e Artë në edicionin e 83-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia.

Bashkëprodhimi Danimarkë-Suedi-Letoni solli një dramë që zhvillohet në Danimarkën e pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndjek historinë e një shërbyeseje, e cila përpiqet të mbrojë jetën e saj të re pasi mund t’i zbulohet lidhja me një ushtar gjerman.

Filmi shënoi triumf të dyfishtë, protagonistja Mathilde Arcel u vlerësua me Kupën Volpi, si aktorja më e mirë.

Fitorja regjistron moment të veçantë për kinemanë e drejtuar nga gratë. May el-Toukhy ishte e vetmja në regjinë e një filmi në garën kryesore. Me këtë vlerësim, bëhet gruaja e tetë që siguron Luanin e Artë në historinë e festivalit.

Ndërkaq, çmimi për Regjinë më të mirë iu dha Ilya Khrzhanovsky-t për DAU, ndërsa Luani i Argjendtë,  Çmimi i Madh i Jurisë shkoi për Possible Love, me regji të Lee Chang-dong/ut. John Malkovich, u shpall aktori më i mirë për Wild Horse Nine.

“NAZA”, me regji të Yuval Abraham-it e Rachel Szor-it, çoi në shtëpi Çmimin Special të Jurisë.

Dokumentari trajton luftën në Gaza dhe pretendimet mbi përdorimin e Inteligjencës Artificiale në përzgjedhjen e objektivave ushtarake. Gjithçka u realizua përmes dëshmive dhe materialeve që hetojnë mënyrën e veprimit të ushtrisë izraelite në Gaza.

Në fjalën e mbajtur, Abraham akuzoi Izraelin për vrasje masive të palestinezëve e tha se zyrtarë të Inteligjencës izraelite ia përshkruan vrasjet si veprime “të projektuara”.

Juria e edicionit të 83-të të Festivalit të Venecias kryesohej nga regjisorja dhe aktorja amerikane Maggie Gyllenhaal.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.