Kryeministri Edi Rama ka njoftuar planin për hapjen e katër universiteteve të reja në Shqipëri, të cilat do të ngrihen në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë.
Gjatë një interviste në podcastin “Flasim”, Rama bëri të ditur se universitetet e reja do të kenë profile të ndryshme, duke u fokusuar në fusha si mjekësia, teknologjia dhe inteligjenca artificiale, por edhe në programe të përgjithshme universitare.
Sipas kryeministrit, universiteti që do të hapet në Fier do të ketë në fokus mjekësinë dhe synon të jetë një institucion ekselence në këtë fushë.
Ndërkohë, universiteti i Vlorës është konceptuar si një universitet i përgjithshëm dhe më i madh, ndërsa në Korçë parashikohet ngritja e një universiteti të orientuar drejt teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Universiteti i katërt do të ngrihet në Tiranë dhe, sipas Ramës, do të jetë gjithashtu i karakterit të përgjithshëm.
“Një është Universiteti i Fierit, i cili do të jetë një universitet ekselence për mjekësi, ai i Vlorës, i cili do të jetë i përgjithshëm dhe më i madh. Një tjetër në Korçë për teknologjinë dhe AI dhe tjetri në Tiranë, po ashtu i përgjithshëm”, deklaroi Rama.
Kryeministri bëri gjithashtu të ditur se qeveria pritet të nënshkruajë një marrëveshje me një prej rrjeteve më të mëdha universitare në botë, me bazë në Londër. Sipas tij, pjesë e kësaj marrëveshjeje do të jetë edhe plani për hapjen e Universitetit të Mjekësisë në Fier.
“Ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha të botës, i cili është i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier”, u shpreh Rama.
Plani i qeverisë synon zgjerimin e ofertës universitare në vend dhe orientimin e institucioneve të reja drejt fushave që konsiderohen prioritare për zhvillimin e ekonomisë dhe tregut të punës.

