Deklarata e gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Engert Përllumbi, lidhur me financimin e sistemit të drejtësisë, ka shkaktuar reagimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë një deklarate për çështjet buxhetore, Përllumbi u shpreh se deri në fund të vitit nuk priten probleme financiare, duke theksuar se sistemi i drejtësisë ka buxhetin e tij.
“Deri në fund të vitit nuk shtrohet fare diskutimi për probleme buxhetore, duke qenë se ne kemi qesen tonë të buxhetit. Nuk po marrim nga qeset e të tjerëve. Me pak fjalë, nuk po na lejohet të marrim nga qesja jonë”, deklaroi gjyqtari.
Deklarata ka sjellë një reagim të menjëhershëm nga kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Rama komentoi debatin për financimin e sistemit të drejtësisë dhe mënyrën se si interpretohet pavarësia e pushtetit gjyqësor.
Kreu i qeverisë e cilësoi deklaratën e gjyqtarit si të pabesueshme.
“E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar…”, shkroi Rama.
Reagimi vjen në një kohë kur financimi i sistemit të drejtësisë dhe garantimi i pavarësisë së tij vijojnë të jenë pjesë e debatit publik dhe institucional.

