Një çështje e hapur me drejtësinë shqiptare që prej vitit 2017 ka çuar në pranga një shqiptar në Angli, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana.
Sipas të dhënave të siguruara nga gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, nga Gjykata e Magjistratëve të Westminsterit në Londër, përpara kësaj gjykate ka dalë për qëllime ekstradimi Gjovalin Troja, 49 vjeç.
Me origjinë nga Abati i Shkodrës, Troja kërkohet nga drejtësia shqiptare nën dyshimin se është përfshirë në një mashtrim të kryer gjatë periudhës 25 dhjetor 2017 deri më 10 janar 2018.
Sipas urdhër-arrestit ndërkombëtar, të lexuar në gjykatë, “Gjovalin Troja 49 vjeç, në bashkëpunim me persona të tjerë përmes mashtrimit i morën shtetasit Y.K një automjet model Benz E Class, duke mos e paguar dhe po me mashtrim Troja, përfitoi shumën prej 5,000 Euros”.
Gjovalin Troja u arrestua në qytetin Stoke-on-Trent nga Skuadra Kombëtare e Ekstradimeve në NCA, me qëllim ekstradimin e tij nga Anglia drejt Shqipërisë.
Shkodrani do ta ndjekë procesin e ekstradimit në gjendje të lirë, pasi gjykata i ka caktuar masën e lirimit me kusht. Ai ka vendosur një garanci pasurore prej 5 mijë stërlinash dhe i është vendosur në këmbë një pajisje elektronike GPS për monitorimin e lëvizjeve të tij.
Seanca e radhës për çështjen e ekstradimit është caktuar më 1 tetor.

