Një dron rus ka goditur një tren pasagjerësh në perëndim të Ukrainës, vetëm rreth dy kilometra larg kufirit me Poloninë. Sulmi ndodhi pak minuta pasi në të njëjtën linjë hekurudhore kishte kaluar një tren që transportonte ish-kryeministrin britanik Boris Johnson dhe zyrtarë të lartë evropianë.
Sipas BBC, nga sulmi nuk ka pasur viktima. Pasagjerët ishin evakuuar në kohë, pasi autoritetet kishin konstatuar kërcënimin ajror. Droni goditi lokomotivën e trenit, duke shkaktuar dëme materiale.
Boris Johnson po udhëtonte nga Kievi, ku kishte marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Në të njëjtin tren ndodheshin edhe zyrtarë të lartë evropianë të sigurisë, mes tyre këshilltari britanik i sigurisë kombëtare, Jonathan Powell, si dhe një këshilltar i kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Treni me delegacionin e huaj kishte kaluar në zonën ku ndodhi sulmi vetëm pak minuta përpara goditjes.
Moska deklaroi se kishte goditur “infrastrukturën hekurudhore” në Ukrainën perëndimore, ndërsa sulmi ka rikthyer në vëmendje rrezikun ndaj rrjetit hekurudhor ukrainas, i cili është goditur vazhdimisht gjatë luftës.
Ish-kryeministri britanik Boris Johnson reagoi ashpër pas incidentit, duke kritikuar sulmin dhe duke kërkuar forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
“Nuk e di se çfarë logjike e shtrembëruar e shtyu Putinin të hidhte në erë një lokomotivë treni ukrainase të palëvizshme në kufirin polak këtë mëngjes”, deklaroi Johnson.
“Kur do t’u japim atyre mbrojtjen ajrore që u nevojitet?”, shtoi ai.

