Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një tabelë me pagat e gjyqtarëve në Shqipëri, të krahasuara me ato në disa vende të tjera europiane.
Sipas renditjes së tanishme, gjyqtarët shqiptarë janë të dytët më të paguarit, pas atyre rumunë, me një pagë prej rreth 3241 eurosh në muaj. Në vendin e tretë renditet Sllovenia me 2842 euro, ndërsa Greqia është e katërta me 2702 euro. Mali i Zi renditet në vendin e tetë, me një pagë prej 1958 eurosh.
Sipas Ramës, nëse do të miratohej rritja e kërkuar nga gjyqtarët shqiptarë, paga e tyre do të shkonte në 4886 euro në muaj, duke i renditur ata të parët në këtë listë.
“Një gjykatës fillestar sot në Shqipëri merr 500 Euro pagë më të lartë se sa kolegu në Greqi dhe me vendimin e marrë vetë Zot vetë Shkop, paga duhet të rritet 2000 Euro më shumë në muaj se sa kolegu grek dhe 3000 Euro më shumë se sa kolegu në Malin e Zi…”, shkruan Rama.

