
Shqipëria pritet të finalizojë së shpejti një marrëveshje me një rrjet të madh universitar me bazë në Londër, që parashikon hapjen e katër universiteteve ndërkombëtare në Fier, Vlorë, Korçë dhe Tiranë.
Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në episodin e parë të sezonit të shtatë të podcast-it “Flasim”, duke e cilësuar projektin një investim të madh dhe ambicioz për arsimin e lartë në vend.
Sipas Ramës, në Fier synohet ngritja e një universiteti ndërkombëtar ekselence të fokusuar te mjekësia, i cili do të presë studentë shqiptarë dhe të huaj.
Kryeministri tha se diskutimet kanë avancuar dhe se është shqyrtuar një draft i studimit të fizibilitetit, ndërsa pritet versioni përfundimtar.
Në Vlorë parashikohet një universitet i përgjithshëm, që sipas planit do të jetë më i madhi nga katër institucionet. Ambicia, tha Rama, është që ai të vendoset në qendër të qytetit, pranë Sheshit të Flamurit.
Korça do të ketë një universitet të orientuar drejt teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, ndërsa në Tiranë parashikohet hapja e një tjetër universiteti të përgjithshëm.
“Është investim shumë i madh që do të bëjmë. Ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën, ata do të sjellin pedagogë”, deklaroi Rama, duke shtuar se pjesë e rëndësishme e projektit do të jetë edhe përzgjedhja e pedagogëve shqiptarë brenda vendit dhe nga diaspora.
Kryeministri Rama:
Me shumë gjasë, së shpejti, ne do të nënshkruajmë një marrëveshje me një nga rrjetet më të mëdha universitare të botës, i bazuar në Londër dhe pjesë e marrëveshjes është edhe plani i përbashkët për të hapur Universitetin e Mjekësisë në Fier. Universiteti mjekësor i Fierit do të jetë ndërkombëtar, me reputacion ndërkombëtar, me studentë shqiptarë dhe nga e gjithë bota. Ne jemi shumë afër, kemi filluar një proces diskutimesh dhe kemi parë një studim, një draft të fisibilitetit, është fantastik, por presim studim përfundimtar nga ana e tyre. Është investim shumë i madh që do të bëjmë, ne do të vëmë në dispozicion infrastrukturën, ata do të sjellin pedagogë, por komponent i rëndësishëm do të jetë edhe zgjedhja e pedagogëve shqiptarë që ata synojnë t’i zgjedhin jo vetëm këtu, por edhe në diasporë. Është plan goxha ambicioz. Janë 4 universitete, është universiteti i Fierit, universitet ekselence për mjekësinë. Është universiteti i Vlorës, i përgjithshëm, më i madhi ndër të 4, ambicia jonë është ta instalojmë në qendër të Vlorës, te Sheshi i Flamurit, universitet ndërkombëtar që të krijojë dinamikë të re. Një tjetër në Korçë për teknologjinë dhe inteligjencën artificiale dhe tjetri, i Përgjithshëm në Tiranë. Duam ta konkludojmë të gjithën brenda këtij viti dhe duam që të fillojë mësimi në 2 nga 4 universitetet, në sezonin 2027-2028 dhe 2028-2029, të katërt janë në funksion./Versus.al

