Është zbardhur identiteti i shqiptarit të arrestuar në Greqi në kuadër të operacionit “Lulet e së keqes”, që çoi në sekuestrimin e rreth 84 kilogramëve kokainë të trafikuar nga Kolumbia.
Bëhet fjalë për Lulzim Cakën, i njohur si “i forti i Beratit”, një emër i njohur i kronikës së zezë shqiptare që prej viteve ’90.
Caka, i cili sipas informacioneve të publikuara fshihej prej vitesh në Greqi dhe përdorte edhe identitetin John Franco, u arrestua së bashku me të birin në një vilë luksoze në Marathona.
Gjatë kontrollit të pronës, autoritetet greke sekuestruan 2 kilogramë kokainë, kimikate dhe pajisje për përpunimin e paketimin e drogës, një pistoletë dhe një automjet luksoz.
Arrestimet erdhën pas një operacioni të zhvilluar nga autoritetet greke në bashkëpunim me DEA-n amerikane, për goditjen e një grupi të dyshuar kriminal shqiptar që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Greqisë.
Në total u arrestuan shtatë persona, shumica shqiptarë. Mes tyre është edhe një tjetër shtetas shqiptar, të cilin hetuesit e konsiderojnë një hallkë të rëndësishme për kontaktet me furnizuesit e kokainës në Kolumbi.
Kompania “fantazmë” dhe shtatë dërgesat e mëparshme
Hetimi ka zbuluar edhe mënyrën se si dyshohet se funksiononte rrjeti.
Kompania që figuronte si importuese e trëndafilave ishte krijuar në vitin 2023, por sipas të dhënave të hetimit nuk kishte seli apo staf real dhe aktiviteti i deklaruar nuk lidhej me tregtinë e luleve.
Nga verifikimi i historikut të importeve rezultoi se gjatë tetë muajve të mëparshëm ishin realizuar edhe shtatë dërgesa të tjera me trëndafila nga Kolumbia. Hetuesit dyshojnë se dërgesat e para mund të kenë shërbyer për të testuar rrugën, ndërsa më pas mes luleve mund të jetë transportuar kokainë.
Për të shmangur kontrollet, ngarkesat dyshohet se ndiqnin itinerarin Kolumbi–Kanada–Greqi. Në Kanada pajiseshin me dokumente të reja transporti dhe më pas dërgoheshin drejt një dyqani lulesh në Artemida.
Kokaina brenda kërcellëve të trëndafilave
Metoda e kamuflimit ishte e sofistikuar. Ngarkesa përbëhej nga 80 kuti me trëndafila, ndërsa në disa prej buqetave kërcelli natyral ishte zëvendësuar me një strukturë plastike, brenda së cilës ishte futur kokaina.
Autoritetet numëruan 1,058 kërcellë plastikë, secili me rreth 79 gramë kokainë. Në total u sekuestruan afërsisht 84 kilogramë, me vlerë të përllogaritur rreth 2.4 milionë euro.
Kush është Lulzim Caka?
Lulzim Caka është një nga emrat e njohur të kronikës së zezë shqiptare të viteve ’90. Emri i tij është lidhur ndër vite me ngjarje të rënda kriminale dhe procese të shumta gjyqësore.
Gjykata e Apelit në Vlorë e dënoi me 25 vjet burg për vrasje me dashje, vrasje në rrethana cilësuese të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Një nga episodet më të njohura lidhet me operacionin policor të marsit 1998 në Pobrat të Beratit. Caka dhe dy persona të tjerë u përplasën me armë me forcat e policisë për rreth gjysmë ore. Ai u arrestua i plagosur, ndërsa Xhevahir Çela mbeti i vrarë.
Një tjetër ngjarje e rëndë që shënoi historinë e tij ishte rrëmbimi dhe vrasja e nënës së tij, Xhevrie Caka, në vitin 1999. Trupi i saj u gjet në pyllin e Semanit. Pas arratisjes nga burgu, Caka u përfshi në vrasjen e Valter Begës dhe Mariglen Camit, të cilët konsideroheshin përgjegjës për vrasjen e nënës së tij.
Caka u soll në Shqipëri në vitin 2003, pas një procedure ekstradimi nga Italia.
Historia e tij gjyqësore vazhdoi për vite me ankime në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Tashmë emri i tij rikthehet në vëmendje pas operacionit në Greqi, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej të arrestuarve dhe për të zbuluar nëse rrjeti kishte realizuar edhe ngarkesa të tjera me kokainë nga Kolumbia drejt Europës./Versus.al

