Kriza politike në Kosovë, PDK dhe AAK bojkotojnë seancën për votimin e qeverisë së re

Rajon

Publikuar: 13/09/2026

Kriza politike në Kosovë, PDK dhe AAK bojkotojnë seancën për votimin e qeverisë së re

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë vendosur të bojkotojnë seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ku sot pritet të votohet Qeveria e re.

Zyrtarë të PDK-së kanë bërë të ditur se deputetët e kësaj force politike nuk do të marrin pjesë në seancë, pas zhvillimeve që shoqëruan konstituimin e Kuvendit dhe pezullimit të kandidaturës së Vlora Çitakut për postin e nënkryetares.

Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti Burim Ramadani deklaroi se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën për votimin e qeverisë pasi e konsideron procesin jokushtetues.

Bojkoti i dy partive vjen vetëm pak orë pasi Albulena Haxhiu mandatoi Albin Kurtin për formimin e Qeverisë së re dhe Kuvendi u mblodh në seancë të jashtëzakonshme për votimin e kabinetit qeveritar.