Aktualitet Rajoni

Zbulohet emri, kush është i arrestuari në Greqi si kreu i grupit të kokainës me lule nga Kolumbia, Shqipëria e kërkon për vrasje!

Është zbuluar më në fund emri i personazhit misterioz të arrestuar nga policia greke si kreu i grupit kriminal shqiptar pas trafikut të 84 kg kokainë nga Kolumbia përmes kërcejve plastikë të trëndafilave.

Korrespondenti i Top Channel Artur Bibe raporton se ai është personazhi i vitit 1997 në Shqipëri, Lulzim Caka. Caka mësohet se është arrestuar bashkë me të birin, në një vilë ku janë zbuluar 2 kg kokainë, kimikate e pajisje paketimi të drogës, një pistoletë dhe një makinë luksoze.

Lulzim Caka rezulton person i shpallur në kërkim në Shqipëri, pasi është liruar në mënyrë të paligjshme nga burgu në vitin 2019, ku vuante dënim me 25 vjet burg për disa vrasje.


Caka, i cili në Greqi njihet edhe me emrin e dytë John Franco, prej largimit nga Shqipëria jetonte në shtetin helen. Pikërisht në vitin 2022, Greqia ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e Lulzim Cakës në Shqipëri.

Ndër të tjera bëhet me dije se pas arrestimit në banesë i janë gjetur dy milionë euro, drogë dhe bizhuteri.

LEXO EDHE: Arratisja e Çipit nga burgu, kush është shqiptari me “CV” të pasur në polici? Zbulohen fotot e armëve dhe drogës që iu sekuestruan më herët!

Caka, i njohur si “Lul Caka”, është një prej emrave më të njohur të kronikës së zezë shqiptare të viteve ’90. Veprimtaria e tij kriminale lidhet kryesisht me zonën Berat-Fier-Lushnjë, në një periudhë kur vendi ishte përfshirë nga kaosi dhe dhuna pas vitit 1997. Caka u dënua për vrasjen e Pëllumb Eminit, ngjarje e ndodhur më 21 korrik 1997 në Lushnjë.

Një tjetër çështje për të cilën Caka u dënua lidhet me sulmin ndaj dy drejtuesve të policisë, Gani Malushi dhe Ilir Ngresi. Sipas vendimeve të raportuara nga gjykatat, ai u shpall fajtor për tentativën e vrasjes së tyre dhe për armëmbajtje pa leje, duke marrë në total një dënim prej 25 vitesh burgim.

Ngjarja ndodhi në mars 1998, kur Caka akuzohej se i bëri rezistencë të armatosur forcave të policisë. Për këto episode, ai ka mohuar autorësinë, por dënimi ndaj tij u la në fuqi nga Apeli.

 

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.