Gjykata e Korçës ka dënuar me 12 vite burgim Enedjo Gurin, i cili rreth një vit më parë vrau me thikë 14-vjeçarin Erald Xhejo në fshatin Pirg të Maliqit.
Vendimi është dhënë më 9 shtator nga trupi gjykues i Gjykatës së Korçës, pas shqyrtimit të provave të administruara në dosjen penale. Guri është shpallur fajtor për veprën penale “Vrasja me dashje”.
Për të njëjtën ngjarje janë dënuar edhe dy persona të tjerë. Roland Guri, xhaxhai i Enedjos, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, ndërsa Flori Çela është dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim, pasi ndihmoi autorin të largohej me automjet pas ngjarjes. Ndërkohë, babai i Enedjo Gurit është shpallur i pafajshëm.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 14 gusht 2025, pas një konflikti mes dy të miturve, i cili dyshohet se kishte lidhje me një përplasje të mëparshme mes tyre.
Sipas provave të administruara në dosjen hetimore, pamjet filmike kanë dokumentuar momentet e konfliktit. Në video, Enedjo Guri shfaqet duke ndjekur 14-vjeçarin me një thikë në dorë, ndërsa Erald Xhejo tenton të mbrohet.
Gjatë përleshjes, 14-vjeçari u godit me thikë në kraharor. Plaga rezultoi fatale dhe i mituri humbi jetën.
Enedjo Guri ndodhet aktualisht i izoluar në Institutin e të Miturve në Kavajë, ku pritet të vuajë edhe dënimin e dhënë nga Gjykata e Korçës.

