POLITIKË /

“Rritjen e duan që nga prilli 2023”/ Rama zbulon faturën: 130.5 milionë euro vetëm për “prapambetjet” e pagave të gjyqtarëve

Shkruar nga Versus

“Rritjen e duan që nga prilli 2023”/ Rama zbulon faturën:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për vendimin e Gjykatës Administrative lidhur me pagat e gjyqtarëve, duke publikuar të tjera detaje mbi efektin financiar që, sipas tij, do të sillte zbatimi i tij.

Në një postim në “X”, Rama thotë se çështja nuk kufizohet vetëm te një rritje e menjëhershme me 51% e pagave, por përfshin edhe pagesat e prapambetura që prej prillit të vitit 2023.

Sipas shifrave të bëra publike nga kryeministri, fatura e këtyre detyrimeve do të arrinte në rreth 130.5 milionë euro. Rama vuri në pikëpyetje bazën e vendimmarrjes së gjykatës dhe mënyrën se si ajo mund të zbatohej.

“Nuk kërkon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave me 51% për gjykatësit, po edhe ‘të prapambeturat’ që nga prilli 2023”, shkruan Rama.

Kryeministri iu referua edhe një tabele të publikuar bashkë me reagimin, ku, sipas tij, tregohet shuma që do të përfitonte individualisht çdo gjyqtar nëse vendimi do të zbatohej menjëherë.

Rama e cilësoi vendimmarrjen si “ekstra-parlamentare”, ndërsa deklaroi se zbatimi i saj do të kërkonte që ministri i Financave të vepronte në kundërshtim me ligjin./Versus.al

 

Tags:

edi rama

Poll