
Agjencia Shtetërore e Kadastrës do të nisë një proces të ri për legalizimin dhe trajtimin e banesave që nuk disponojnë dokumentacion pronësie.
Ekipet e dedikuara të Kadastrës do të dalin në terren dhe do të trajtojnë rastet derë më derë, duke nisur nga fshatrat e më pas në zonat urbane.
Drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, tha se specialistët do të kryejnë matjet, verifikojnë dokumentacionin dhe, për rastet që plotësojnë kriteret ligjore, vendimi do t’i dërgohet qytetarit përmes e-Albania.
Procesi do të nisë nesër në Palasë, ku ekipet do të qëndrojnë për një javë për të trajtuar të gjitha banesat pa dokumentacion pronësie.
Kadastra do të publikojë edhe statusin e rasteve të trajtuara, duke bërë të qartë se cilat banesa janë pajisur me vendim, cilat kërkojnë dokumente shtesë dhe cilat nuk janë aksesuar nga ekipet.
Institucioni u ka bërë thirrje banorëve të Palasës të bashkëpunojnë me specialistët dhe të sigurojnë praninë e një personi në banesë gjatë vizitave në terren./Versus.al

