Fenomeni klimatik El Niño po intensifikohet dhe parashikimet për muajt e ardhshëm kanë shtuar shqetësimet për mot ekstrem në pjesë të ndryshme të botës. Përballë rrezikut të stuhive, përmbytjeve, zjarreve dhe ndërprerjeve të energjisë, autoritetet britanike u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të përgatitur për situata emergjente.
Qeveria britanike rekomandon që çdo familje të ketë në shtëpi një rezervë bazë me ujë, ushqime dhe pajisje të nevojshme për të përballuar disa ditë në rast se ndërpritet energjia elektrike ose furnizimi me ujë.
Në “kitin e emergjencës” këshillohet të përfshihen:
- ujë i pijshëm dhe ushqime që nuk prishen shpejt;
- elektrik dore dhe bateri rezervë;
- radio me bateri ose burim alternativ energjie;
- karikues portativë për telefonat;
- ilaçe dhe materiale bazë të ndihmës së parë;
- batanije dhe veshje të ngrohta;
- para cash dhe dokumente të rëndësishme;
- mjete bazë për gatim dhe ndriçim.
Autoritetet këshillojnë gjithashtu familjet të kontrollojnë kullotat dhe kanalizimet pranë banesave, të sigurohen që çatitë dhe dritaret janë në gjendje të mirë dhe të kenë një plan komunikimi në rast emergjence.
El Niño është një fenomen natyror klimatik që lidhet me ngrohjen e pazakontë të ujërave të Oqeanit Paqësor dhe mund të ndryshojë modelet e motit në shumë rajone të botës. Një episod shumë i fortë mund të rrisë rrezikun për temperatura ekstreme, reshje të dendura, përmbytje, thatësira dhe zjarre, në varësi të rajonit.
Ekspertët theksojnë se një “Super El Niño” nuk do të thotë se çdo vend do të përballet domosdoshmërisht me katastrofa, pasi ndikimet ndryshojnë sipas zonës dhe faktorëve të tjerë atmosferikë.

