AKTUALITET /

Zjarret mbajnë në alarm Shkodrën, disa vatra vijojnë aktive në Pukë dhe Vau Dejës

Shkruar nga Versus

Zjarret mbajnë në alarm Shkodrën, disa vatra vijojnë aktive

Qarku i Shkodrës vijon të përballet me vatra zjarri në disa zona, ndërsa gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit forcat në terren kanë vijuar punën për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave.

Në Bardhaj-Myselim, në Shkodër, zjarri mbetet aktiv dhe ka përfshirë sipërfaqe pyjore. Zjarrfikëset vijojnë të qëndrojnë pranë zonave të banuara, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve drejt banesave.

Situatë e vështirë paraqitet edhe në Mnelë të Madhe, në Bashkinë Vau Dejës.

Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa forcat e angazhuara po përqendrohen te mbrojtja e banesave dhe e zonave të banuara.

Një tjetër vatër është evidentuar në Naraç, ku strukturat e emergjencave po monitorojnë situatën.

Në Pukë, problematika kryesore mbetet Mali i Tërbunit.

Flakët po favorizohen nga erërat e forta, ndërsa fronti i zjarrit shtrihet për më shumë se 10 kilometra përgjatë kurorës pyjore.

Pavarësisht përmasave të zjarrit, deri tani nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Fushë-Arrëz, zjarri në Kulumri është shuar, ndërsa zona vijon të monitorohet për të shmangur ndonjë riaktivizim. Një tjetër vatër mbetet aktive në zonën Iballë-Fierzë, ku terreni i thyer dhe vështirësisht i aksesueshëm po pengon ndërhyrjen nga toka.

Në përballimin e situatës janë angazhuar forcat zjarrfikëse, ushtria, shërbimet pyjore dhe strukturat e emergjencave civile. Puna e tyre është përqendruar kryesisht në izolimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Ndërkohë, era e fortë mbetet një prej faktorëve kryesorë që favorizon përhapjen e flakëve, ndaj zonat problematike po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm./Versus.al

 

 

Tags:

zjarret

Poll