Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet i burgosur politikisht, ka reaguar mbi debatin për pagat e gjyqtarëve, duke argumentuar se shqetësimi kryesor për shqiptarët nuk është niveli i pagave të sistemit të drejtësisë, por niveli i ulët i të ardhurave publike në raport me PBB-në.
Sipas Metës, Shqipëria ka një nivel të ardhurash prej 28.3% të PBB-së, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është në 42.5%, Serbia në 41% dhe Mali i Zi në 40.3%.
Meta shkruan se, diferenca përkthehet në rreth 4 miliardë euro në vit, të cilat, sipas tij, humbasin për shkak të keqadministrimit të doganave dhe tatimeve, si dhe evazionit fiskal.
Sipas tij, këto të ardhura do të mund të përdoreshin për rritjen e pagave të mjekëve, infermierëve dhe mësuesve, rritjen e pensioneve, financimin e bujqësisë dhe arsimit, si dhe për pajisjet për përballimin e emergjencave nga zjarret.
Reagimi i presidentit të PL, Ilir Meta:
Shqetësimi madhor për shqiptarët nuk është fakti se pagat e gjyqtarëve janë më të larta se ato të vendeve të rajonit, por se niveli i të ardhurave në raport me Produktin e Brendshëm Bruto në Shqipëri është më i ulëti në rajon.
Sikur niveli i të ardhurave në raport me PBB të ishte sa Bosnjë-Hercegovina 42.5%, ose sa Serbia 41%, apo sa Mali i Zi 40.3% dhe jo 28.3% sa e ka Shqipëria (vendi i fundit në rajon) gati 4 miliardë euro në vit, që vidhen dhe përfundojnë në off-shore dhe xhepat e Kryekleptokratit dhe bandës së tij hajdute, do të hynin në Buxhetin e Shtetit.
Rrjedhimisht 4 miliard euro në vit do të shërbenin për të rritur pagat, pensionet dhe mirëqenien e të gjithë shqiptarëve.
Pra problemi themelor janë rreth 4 miliard euro në vit që vidhen nga keqadministrimi i qëllimshëm i doganave e tatimeve dhe evazioni fiskal klientelist dhe nuk janë pagat e gjyqtarëve.
4 miliard euro në vit nëse nuk do të grabiteshin barbarisht do të shkonin për rritjen e pagave të mjekëve, infermierëve, arsimtarëve, për financimin e bujqësisë, të arsimit, për rritjen reale të pensioneve, apo për blerjen e avionëve për fikjen e zjarreve.
Prandaj na duhet një drejtësi e pavarur, që jo vetëm heton dhe ndëshkon, por edhe që parandalon gjakderdhjen financiare, korrupsionin skizofrenik të Edi Ramës dhe çetës së tij hajdute.
© SYRI.net